Vendosni fjalën kyçe....

Lapaj s’heq dorë nga parlamenti, i nis një letër të dytë Celibashit


Kreu i partisë Shqipëria Bëhet Adriatik Lapaj i ka nisur një letër të dytë kreut të KQZ-së Celibashi duke i kërkuar që të njohë dorëheqjet e kandidatëve të listës së mbyllur dhe t’ia kalojë mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni me Endri Shabanin e Nisma Thurje.

Dy aleatët e 11 majit janë përfshirë në një përplasje të ashpër publike me akuza, kundërakuza e kërcënime.

Daja i Shabanit, Zeqir Kordhoni, me një letër drejtuar KQZ-së, u tërhoq nga dorëheqja dhe kërkon mandatin. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe disa kandidatë të listës së mbyllur.

Para pak ditësh, një audio e regjistruar u publikua në media ku një anëtar i partisë së Lapajt kërcënonte Shabanin dhe dajën e tij, duke u thënë se do e paguanin shtrenjtë “pabesinë”.

Kërkesa e Lapajt për Celibashin
“Nisma “Shqipëria Bëhet” me Vendimin Nr. 237, dt. 04.03.2025, është regjistruar në KQZ si koalicion për zgjedhjet parlamentare të dt. 11 maj 2025, me përfaqësues z. Adriatik Lapaj në cilësinë e drejtuesit të koalicionit.

Në Qarkun Tiranë, ky koalicion ka siguruar 16,520 vota, duke fituar një mandat përfaqësimi. Ju bëjmë me dije se të gjithë kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, më datë 11 maj 2025, përpara fillimit të procesit të numërimit të votave. Bazuar në Nenin 97, të Kodit të Procedurave Administrative, përsa kohë organi publik, në këtë rast Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, nuk është shprehur me vendim konsiderohen të miratuara në heshtje. Në këtë kuadër, kërkojmë konfirmimin me shkrim se dorëheqjet e paraqitura janë konsideruar të miratuara në heshtje, në përputhje me ligjin në fuqi. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin!”