
Pas kërkesës së bërë nga Shqipëria pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia ka dërguar në ndihmë dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair dhe trupa të specializuara, të cilat po operojnë në zonën e “Liqenit të Luleve” në Parkun Kombëtar të Lurës, një zonë me rëndësi të lartë natyrore.
Ndërhyrja ka për qëllim përshpejtimin e shuarjes së vatrave aktive të zjarrit dhe mbrojtjen e pasurisë natyrore të parkut.
Në të njëjtën kohë, përmes të njëjtit mekanizëm europian, Greqia i erdhi në ndihmë Shqipërisë me dy avionë Canadair, të cilët janë vendosur në operacion në zonën e Dukatit, në Vlorë, ku situata paraqitet e përkeqësuar për shkak të terrenit dhe erërave të forta.
Forcat operacionale shqiptare, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të tjera në vend, duke pasur si prioritet mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit.