Vendosni fjalën kyçe....

Hapet gara për 4 pozicione nënkryetarësh në Bashkinë e Tiranës


Bashkia e Tiranës pritet t’i nënshtrohet një riorganizimi në nivelet drejtuese, në kuadër të një procesi më të gjerë që po zbatohet në të gjitha bashkitë e vendit. Gjatë një takimi me përfaqësues vendorë dhe deputetë të PS në kryeqytet, kryeministri Edi Rama ka kërkuar hapjen e garës për katër poste të reja të nënkryetarëve të bashkisë, me profile pune të përshkruara qartësisht. Procesi do të udhëhiqet nga një grup pune me përfaqësues si Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Petrit Malaj, të cilët do të realizojnë intervistat dhe përzgjedhjen e kandidatëve.

Në garë mund të përfshihen edhe nënkryetarët aktualë, të cilëve u është kërkuar të paraqesin platforma konkrete për sektorët përkatës. Megjithatë, ky riorganizim nuk lidhet me Anuela Ristanin, e cila mban funksionin e kryetares së komanduar në detyrë të Bashkisë Tiranë. Ristani do të ketë si detyrë kryesore dixhitalizimin e shërbimeve dhe udhëheqjen e procesit të zbatimit të një strukture të re organizative për bashkinë, të konceptuar në bashkëpunim me Institutin Tony Blair – një model që pritet të adaptohet edhe në bashki të tjera të vendit.

Ky zhvillim vjen si pjesë e përpjekjeve për modernizimin e administratës vendore dhe për rritjen e transparencës dhe eficiencës në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.