
Një valë e qëndrueshme sulmesh me dron nga Ukraina ndaj Rusisë ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme në aeroportet kryesore të Moskës dhe anulimin e të paktën 140 fluturimeve, njoftuan autoritetet ruse.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, që nga mëngjesi i së shtunës janë rrëzuar mbi 230 dronë ukrainas në të gjithë vendin, përfshirë 27 mbi kryeqytetin.
Autoriteti rus i aviacionit bëri të ditur se katër aeroportet kryesore që shërbejnë për Moskën u prekën nga ndërprerjet, ndërsa më shumë se 130 fluturime u ridrejtuan. Aktiviteti në të gjitha aeroportet është rikthyer tashmë në normalitet, sipas BBC.
Ndërkohë, të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore ruse në Ukrainë gjatë natës, sipas zyrtarëve rajonalë.
Shoqata Ruse e Operatorëve Turistikë (Ator) tha se aeroportet e Moskës janë mbyllur dhjetë herë brenda 24 orëve për shkak të këtyre sulmeve. Edhe aeroporti ndërkombëtar i Kalugës, në jugperëndim të Moskës, u mbyll përkohësisht pasi u rrëzuan 45 dronë në atë rajon.
Ministria ruse e mbrojtjes raportoi gjithashtu se dronë u rrëzuan mbi rajonet kufitare me Ukrainën, përfshirë Rostovin dhe Bryanskun, si dhe mbi Detin e Zi. Nuk u raportuan viktima nga ana ruse.
Kjo nuk është hera e parë që sulmet me dron nga Ukraina shkaktojnë kaos në udhëtimet ajrore në Rusi.
Në muajin maj, rreth 60 mijë pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroporte në të gjithë vendin pasi Kievi lëshoi mbi 500 dronë brenda një periudhe 24-orëshe, sipas ministrisë ruse të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, zyrtarët ukrainas njoftuan se dy persona humbën jetën në rajone të ndryshme të Donetskut pas sulmeve ajrore ruse, ndërsa një grua 78-vjeçare u vra në rajonin Sumy, ku ndërtesat banesore u dogjën nga sulmet.
Forcat ajrore të Ukrainës deklaruan se kanë rrëzuar 18 nga 57 dronët rusë të lëshuar gjatë natës, ndërsa shtatë të tjerë dolën jashtë funksionit për shkak të ndërhyrjes në radar.
Rajonet e vijës së parë të frontit, përfshirë Sumyn, Donetskun, Kharkivin, Dnipropetrovskin dhe Zaporizhian, u goditën gjithashtu.
Në një intervistë televizive, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të punojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë, por theksoi se përparësi për Moskën mbetet “arritja e objektivave tona”.
“Presidenti Putin ka shprehur në mënyrë të përsëritur dëshirën për ta përmbyllur sa më shpejt konfliktin në mënyrë paqësore. Por ky është një proces i gjatë, i vështirë dhe kërkon përpjekje,” tha Peskov.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky propozoi një raund të ri bisedimesh me Moskën për të rifilluar negociatat që u ndërprenë muajin e kaluar.
Ai gjithashtu përsëriti gatishmërinë për t’u takuar ballë për ballë me Putinin, duke thënë: “Takimi në nivel drejtuesish është i domosdoshëm për të siguruar vërtet paqen.”
Në të njëjtën kohë, Ukraina mori një nxitje të re këtë javë kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA do të dërgojë “armë të teknologjisë më të lartë” përmes vendeve anëtare të NATO-s, duke shtuar gjithashtu se do të vendosë tarifa të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për paqe brenda 50 ditëve.
Duke reaguar ndaj këtyre komenteve, Peskov tha: “Të gjithë janë mësuar me retorikën e ashpër dhe të drejtpërdrejtë të Trump. Por ai njëkohësisht konfirmon synimin e tij për të ndihmuar në një zgjidhje paqësore.”