
Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer pasditen e sotme në zonën e Shkopetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Deri më tani, raportohet se dy banesa janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht.
Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit të zjarrit, në banesat e prekura nuk ndodhej asnjë person, duke shmangur kështu pasojat në njerëz. Zjarri ka nisur më shumë se një orë më parë dhe po përhapet me shpejtësi, duke dalë jashtë kontrollit.
Për momentin, vetëm banorët e zonës po përpiqen të përballen me flakët, duke përdorur mjete rrethanore për të shpëtuar shtëpitë e tyre. Ata i bëjnë thirrje autoriteteve dhe shërbimit zjarrfikës për ndërhyrje të menjëhershme, pasi situata rrezikon të përkeqësohet më tej.
Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa pritet një reagim i shpejtë nga institucionet për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve në zonë.