Vendosni fjalën kyçe....

Rëndohet situata e zjarreve në Dukat, terreni vështirëson punën e zjarrëfikësve



Zjarret kanë përfshirë disa zona malore të vendit gjatë 24 orëve të fundit, me situatën më të rënduar në malin e Dukatit. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe kanë rrezikuar seriozisht Parkun Kombëtar të Llogarasë. Qindra pisha dhe pemë të tjera janë djegur, ndërsa ndërhyrja me mjete zjarrfikëse është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.

Rreth 20 forca zjarrfikëse ndodhen në mal, ku po përpiqen të përmbajnë përhapjen e flakëve me mjete primitive si lopata dhe degë pemësh. Në terren ndodhen edhe forca të ushtrisë dhe inspektorë të pyjores, ndërsa kërkohet ndërhyrja nga ajri për të shmangur përhapjen drejt Llogarasë.

Banorëve të zonës u është kërkuar të largojnë bagëtitë, për shkak të rrezikut të lartë. Ndërkohë, një tjetër vatër e rrezikshme është shfaqur në masivin pyjor dhe me kullota pranë rrugës Skuraj–Burrel, afër Shkopetit. Në këtë zonë janë angazhuar zjarrfikës nga disa bashki përreth, ndërsa drejtori i Mbrojtjes nga Zjarri ndjek situatën në terren.

Aktive mbeten gjithashtu edhe vatrat te “Liqeni i Luleve” në Parkun Kombëtar të Lurës, si dhe në zonën e “Malit të Peladhisë” në Dibër. Puna për shuarjen e zjarreve vijon, por përhapja e tyre po ndihmohet nga temperaturat e larta dhe era e fortë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo vatër të dyshimtë.