Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takim me përfaqësues të Forza Italia: Zgjedhjet, farsë e manipuluar – PD do ndjekë çdo hap ligjor


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me deputetin italian dhe drejtuesin e Forza Italia, Alessandro Battilocchio, të cilin e quajti një mik të vyer të PD-së dhe mbështetës të proceseve demokratike në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, Berisha bëri me dije se në qendër të bisedës ishte analiza e situatës politike në vend dhe zgjedhjet e 11 majit, të cilat ai i cilësoi si të manipuluara dhe të mbështetura në abuzim masiv me burimet publike. Ai shtoi se manipulimet ishin të shtrira edhe jashtë Shqipërisë, me target diasporën në Greqi dhe Itali.

“Forza Italia ka qenë gjithmonë në krah të Shqipërisë,” deklaroi Berisha, duke falënderuar Battilocchion për përkrahjen gjatë procesit zgjedhor.

Në takim morën pjesë edhe këshilltari italian Amadeo Folgone, deputeti i Lezhës Agron Gjekmarkaj, drejtori i kabinetit Akil Kraja dhe kreu i PD-së në Itali, Bardhok Doda. Berisha tha se PD do të vijojë betejën për zbardhjen e çdo krimi elektoral, duke ndjekur të gjitha hapat ligjorë për ta denoncuar.