
Donald Trump i ka kërkuar prokurores së përgjithshme të SHBA-së të publikojë transkriptet e jurisë së madhe që lidhen me Jeffrey Epstein, ndërsa administrata u përpoq të përmbante një reagim të ashpër mbi trajtimin e dosjeve që lidhen me pedofilin e dënuar, tashmë të ndjerë.
Në një postim në platformën e tij Truth Social vonë të enjten, Trump tha se, “bazuar në sasinë qesharake të publicitetit që i është dhënë Jeffrey Epstein”, ai i kishte kërkuar Pam Bondi-t të “paraqiste çdo dëshmi përkatëse të Jurisë së Madhe, në varësi të miratimit të Gjykatës”.
“Ky MASHTRIM, i përjetësuar nga Demokratët, duhet të marrë fund, tani!” shtoi Trump.
Bondi u përgjigj me një postim në mediat sociale, duke thënë: “Presidenti Trump – ne jemi gati t’i drejtohemi gjykatës nesër për të hapur transkriptet e jurisë së madhe.”
Vendimi për të publikuar transkriptet erdhi pasi presidenti më herët të enjten kishte postuar në Truth Social se një raport i Wall Street Journal mbi korrespondencën e supozuar midis Trump dhe Epstein ishte “i rremë, keqdashës dhe shpifës”.
Presidenti tha se “së shpejti” do padisë The Wall Street Journal, kompaninë e saj mëmë Neës Corp dhe pronarin Rupert Murdoch.
Zëdhënësit e News Corp dhe Murdoch nuk pranuan të komentojnë.
Shtëpia e Bardhë në ditët e fundit është përpjekur të përmbajë një reagim të ashpër nga disa pjesë të bazës së presidentit MAGA mbi trajtimin e dokumenteve që lidhen me vdekjen e Epstein dhe të ashtuquajturën “listë klientësh” të tij nga administrata.
Trump kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore të publikonte dosje që lidhen me vdekjen e Epstein, e cila ka qenë në qendër të një komploti të gjatë që kur ai vdiq nga vetëvrasja në vitin 2019.
Në shkurt, Bondi tha se një listë e klientëve të Epstein ishte “në tavolinën time tani për ta shqyrtuar”.
Megjithatë, javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë dhe FBI publikuan një memo dyfaqëshe që thoshte se nuk kishte “listë klientësh” dhe asnjë “provë të besueshme” që Epstein “shantazhonte individë të shquar si pjesë e veprimeve të tij”. Gjithashtu thuhej se ai kishte vdekur nga vetëvrasja.
Trump deri tani e ka mbrojtur aleaten e tij të hershme, Bondi, edhe pse figura të rëndësishme të lëvizjes MAGA, përfshirë aktivisten e ekstremit të djathtë Laura Loomer, kërkuan që ajo të shkarkohej për shkak të trajtimit të çështjes Epstein.
Bondi u tha gazetarëve të martën se do mbetej në rolin e saj si prokurore e përgjithshme “për sa kohë që presidenti më dëshiron këtu dhe besoj se ai e ka bërë këtë të qartë, janë katër vjet”.
VINI RE:Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani