Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i Bankës Botërore: Djegia e panevojshme e gazit shkaktoi 389 milionë tonë ndotje karbonike në vitin 2024


Industria e karburanteve fosile kontribuoi me 389 milionë tonë ndotje të panevojshme karbonike në atmosferë gjatë vitit 2024, përmes praktikës së djegies së gazit (flaring), sipas një raporti të ri të Bankës Botërore. Kjo është sasi ndotjeje e barabartë me emetimet vjetore të Francës – një “shkatërrim i madh” energjie që po përkeqëson krizën klimatike, përcjell Guardian.

Djegia e gazit është një proces që përdoret për të hequr qafe gazra si metani, që dalin gjatë nxjerrjes së naftës. Ndonëse ndonjëherë përdoret për arsye sigurie, në shumicën e rasteve bëhet thjesht sepse është më lirë të digjet gazi sesa të kapet, përpunohet dhe shitet.

Raporti zbulon se gjatë vitit 2024 u dogjën 151 miliardë metra kub gaz natyror – shifra më e lartë që nga viti 2007 – me një rritje prej 3 bcm krahasuar me vitin paraardhës.

“Djegia e gazit është një humbje e pajustifikueshme,” tha Zubin Bamji, drejtues i Partneritetit Global për Reduktimin e Djegies dhe Metanit në Bankën Botërore. “Është një mundësi e humbur për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe aksesin në energji.”

Sipas raportit, nëntë vende – Rusia, Irani, Iraku, SHBA, Venezuela, Algjeria, Libia, Meksika dhe Nigeria – janë përgjegjëse për tre të katërtat e gjithë djegies së gazit në botë. Shumica janë shtete me kompani shtetërore të naftës dhe gazit, ku rregulloret janë të dobëta dhe shpesh nuk zbatohen.

Intensiteti i djegies (volumi i gazit të djegur për çdo fuçi nafte) ka mbetur “kokëfortësisht i lartë” prej 15 vitesh, thuhet në raport. Shembull: Norvegjia, një nga prodhuesit më të pastër të naftës, ka intensitet djegieje 18 herë më të ulët se SHBA dhe 228 herë më të ulët se Venezuela.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka kërkuar që djegia rutinë të ndalohet deri në vitin 2030, përveç rasteve emergjente. Vlera e gazit të djegur gjatë 2024-ës, në çmimet e importit të BE-së, ishte rreth 63 miliardë dollarë – më shumë se gjysma e kostos së investimeve që nevojiten për ta ndalur plotësisht praktikën, sipas IEA.

Ekspertët thonë se zgjidhjet për të ndaluar djegien ekzistojnë dhe janë shpesh me kosto të përballueshme. Jonathan Banks nga organizata Clean Air Task Force tha se “mungon vullneti politik dhe presioni rregullator për t’i zbatuar në shkallë të gjerë.”

Kazakhstan është shembull i përparimit, pasi ka ulur djegien me 71% që nga viti 2012 falë gjobave të rënda ndaj shkelësve. Edhe Angola, Egjipti dhe Indonezia kanë bërë hapa përpara në reduktimin e praktikës.

Grupi që përpiloi raportin – Global Flaring and Methane Reduction partnership – përfshin vende të mëdha ndotëse dhe kompani energjetike si BP, Shell, TotalEnergies, si dhe SHBA, Norvegjia e Emiratet e Bashkuara Arabe.

Vendet që kanë nënshkruar nismën Zero Routine Flaring by 2030 të Bankës Botërore kanë ulur intensitetin e djegies me 12% që nga 2012, ndërsa vendet që nuk janë pjesë e saj e kanë rritur atë me 25%.

“Reduktimi i djegies së gazit kërkon investime paraprake, infrastrukturë adekuate, rregullore të forta dhe vullnet të qëndrueshëm politik,” përfundoi Bamji. “Por përfitimet janë të mëdha – qoftë për klimën, qoftë për të ardhurat dhe aksesin në energji.”