
Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj aksionit të fundit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, duke e cilësuar një fushatë hipokrite nga një “uzurpator i ligjshëm” siç e cilësojnë kryeministrin Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, e akuzon Ramën si “kryendërtuesin e paligjshëm”, i cili, sipas tij, ka shembur Partinë Socialiste për të ndërtuar “ngrehinën kriminale të Rilindjes”. Blushi e cilëson Ramën si lider të “mafies së betonit” që ka shkatërruar trashëgiminë historike dhe ka kthyer Tiranën në një lavatriçe për pastrimin e parave të pista përmes lejeve të ndërtimit për kulla shumëkatëshe.
Sipas Partisë së Lirisë, vetëm në vitin 2024 janë dhënë 1.9 milionë metra katrorë leje ndërtimi në Tiranë, nga 521 mijë në vitin 2017, me mbi 139 kulla të miratuara në një dekadë. Blushi theksoi se shumë nga këto ndërtime janë bërë në kundërshtim me planet urbanistike, ndërsa janë shoqëruar me shpronësime të dyshimta dhe mungesë transparence.
“Rama nuk po çliron hapësira publike, por po i pushton ato. Ai është ndërtimi më i rrezikshëm pa leje që ka zënë frymën e Shqipërisë dhe duhet shembur një orë e më parë,” u shpreh Blushi.
PL e cilëson aksionin për çlirimin e hapësirave publike si një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga shkatërrimet urbane që vetë Rama ka firmosur ndër vite, dhe e akuzon për dhënien e tokave publike si shpërblime për klientë, oligarkë dhe organizata mafioze ndërkombëtare.
Partia e Lirisë i bën thirrje qytetarëve të rezistojnë ndaj “grabitjes së pronave të tyre të ligjshme” dhe e quan Ramën një “çiban” që duhet shkulur nga drejtimi i vendit.