Vendosni fjalën kyçe....

Qindra të vrarë në përplasjet mes druzëve dhe beduinëve në Siri



Përleshje të ashpra shpërthyen sërish të premten në provincën jugore siriane të Suveidës, ku fiset beduine të mbështetura nga qeveria islamiste e Sirisë u përballën me luftëtarët lokalë druze, vetëm një ditë pasi ushtria u tërhoq nën presionin e bombardimeve izraelite dhe trysninë diplomatike ndërkombëtare, përcjell Guardian.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), të paktën 638 persona janë vrarë që nga e diela, ndërkohë që mbi 79,000 janë zhvendosur që nga 13 korriku, vetëm më shumë se 20,000 më 17 korrik.

Kreu në detyrë i qeverisë siriane, Ahmed al-Sharaa, urdhëroi tërheqjen e forcave të armatosura të shtetit duke përmendur ndërhyrjen ndërkombëtare që ndihmoi në shmangien e një përshkallëzimi të madh me Izraelin. Por largimi i ushtrisë ka hapur rrugë për përleshje të ashpra, të cilat u ndezën fillimisht pas rrëmbimit të një tregtari druz nga beduinët lokalë.

Gazetarët në terren raportojnë për luftime me armë të rënda dhe predha në hyrje të qytetit të Suveidës, ndërsa trupat e pajetë janë grumbulluar në korridoret e spitalit kombëtar, për shkak të mbingarkesës në morg. “Trupat po qëndrojnë në rrugë përpara spitalit,” tha mjeku Omar Obeid për AFP.

Situata humanitare është përshkruar si katastrofike. Banorët janë pa ujë, energji dhe komunikim, ndërsa mungon edhe ushqimi për fëmijët. “Nuk gjejmë më qumësht për fëmijët,” tha Rayan Maarouf, kryeredaktor i Suwayda24.

Organizatat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, kërkoi hetim të pavarur dhe transparent për shkeljet e rënda ndaj civilëve dhe ndalimin e gjakderdhjes.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq paralajmëroi për kolaps të shërbimeve mjekësore: “Mungojnë furnizimet, spitalet janë të mbingarkuara dhe mungesa e energjisë po e pamundëson ruajtjen e trupave,” deklaroi drejtuesi i delegacionit të ICRC në Siri.

Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar një ndihmë prej 2 milionë shekel (rreth 600 mijë dollarë) për komunitetin druz në Suveidë, duke përfshirë paketa ushqimore dhe ndihmë mjekësore.

Fiset beduine nga pjesë të ndryshme të Sirisë janë mbledhur në fshatrat rreth Suveidës, të mbështetura nga qeveria siriane, e cila, sipas SOHR, nuk mund të dërgojë më forca në atë zonë për shkak të një marrëveshjeje sigurie me Izraelin.

Kjo është përshkallëzimi më serioz që nga prilli dhe maji, kur dhuna mes qeverisë dhe luftëtarëve druze në Suveidë dhe rreth Damaskut la mbi 100 të vdekur. Marrëdhëniet e qeverisë në detyrë me pakicat etnike dhe fetare, përfshirë druzët, kurdët dhe alewitët, janë përkeqësuar që prej rrëzimit të Bashar al-Assad në dhjetor.