
Paketa e Maleve ka zgjuar interes për investime potenciale në zonat rurale të vendit, ku sipas Kryeministrit Edi Rama në vetëm pesë ditë kanë aplikuar 787 individë për të përfituar nga lehtësitë që ofron kjo nismë. Pak ditë më parë qeveria shpalli hapjen e aplikimeve për këtë paketë në një platformë të dedikuar https://paketaemaleve.gov.al/al.
Ligji për Paketën e Maleve synon të krijojë kushte të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik e turistik në zonat malore. Qeveria pranon se zonat malore kanë vështirësi në dhënien e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit për shkak të moskonsolidimit të marrëdhënieve juridike të pronësisë.
Kjo është një ndër pengesat më serioze për zhvillimin ekonomik të këtyre zonave. Shumë toka në malësi administrohen ose zotërohen nga individë dhe familje, posedues jopronarë, që nuk kanë tituj formalë pronësie. Për pasojë, ato nuk mund të përdoren për investime, nuk mund të planifikohen nga bashkitë apo të regjistrohen si pasuri bashkiake për qëllime zhvillimi. Kjo paketë synon që të stimulojë 500 aplikuesit e parë me lehtësi fiskalë për 10 vjet.
Parimi i ndjekur në këtë rast është kush aplikon i pari përfiton i pari. Pjesa tjetër jashtë grupit prej 500 aplikantësh do të përfitojnë nga lehtësitë procedurale. Bashkitë në të gjithë vendin duhet të nxjerrin listën me zonat me potencial investimi në këtë paketë dhe më pas ta dorëzojnë atë për miratim në qeveri.
Përjashtimet që ofron paketa për grupin 500
- Taksa e ndikimit në infrastrukturë
- Taksa e pasurive të paluajtshme
- TVSH
- Tatimi mbi të ardhurat
Bashkitë në zonat malore përfitojnë:
- Thithje kapitali nga investime vendase, të huaja dhe nga diaspora
- Rritje punësimi
- Rritje e kërkesës për produkte bujqësore dhe blegtorale të zonës
- Zhvillim infrastrukture.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.