Vendosni fjalën kyçe....

AADF, shteti dhe një tender 50 mijë dollarë për Butrintin


Nga Auron Tare

Butrinti nuk është për “komunikim publik”  është Trashëgimi Kombëtare

“50 mijë dollarë për çfarë?” Kjo është pyetja që çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të bëjë sot, kur mësojmë se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka shpallur një  tjeter tender të ri për Parkun Kombëtar të Butrintit me titullin: “Komunikim dhe Shërbime të Marrëdhënieve me Publikun.”

Nëse ka një qendër të trashëgimisë shqiptare që njihet nga të gjithë, brenda dhe jashtë vendit,  është pikërisht Butrinti. I vizituar masivisht që pas periudhës komuniste, ky qytet antik në jug të Shqipërisë është një nga thesaret më të rralla të Mesdheut. Lista e vizitorëve të shquar është e gjatë, por ajo që është më e dukshme sot është se fluksi i tejkaluar i vizitorëve po dëmton vetë frymën dhe atmosferën e këtij vendi unik. Përkundër kësaj, në vend që  Shteti Shqiptar të kete prioritet  ruajtjen, edukimi dhe përfshirjen komunitare, një shumë e konsiderueshme prej 50 mijë dollarësh do të përdoret për “marrëdhënie me publikun”.

Shteti ka hequr dorë

Shteti shqiptar, përmes një vendimi të miratuar në Kuvend, ia ka dorëzuar administrimin e Parkut, Fondacionit AADF, një subjekt privat që, në të gjitha praktikat perëndimore  përfshirë edhe vetë SHBA-të  nuk do të lejohej kurrë qe nje park Kombetar të administrohej nga një Fond i Huaj. Pikë. Por në Shqipëri, kjo ndodh me votat e deputetëve që, në vend që të mbrojnë të mirën publike, kanë vendosur në favor të një skeme administrimi që nuk reflekton vullnetin e qytetarëve.

Drejtim i paqartë dhe i paaftë

Në vend që Butrinti të administrohet nga profesionistë të fushës së trashëgimisë dhe arkeologjisë, AADF solli në krye të tij një pensionist nga Amerika Latine, ndërsa menaxhimin bazik ia besoi punonjësve të ish-komunales së Gjirokastrës. Kjo është më shumë se mungesë serioziteti është injorim i vlerës kombëtare të Butrintit.

Çfarë mund të bësh në Butrint  me 50 mije USD?

Guida të trajnuara profesionalisht

Rojtarë të përgatitur dhe të paguar siç duhet

Restaurime cilësore, jo tendera të radhës

Plane për monumentet jashtë qendrës antike

Botime dhe studime të nivelit të lartë shkencor

Programe për fëmijë dhe shkolla

Projekte për përfshirjen e komunitetit lokal

Një koncept i qëndrueshëm për menaxhimin e turizmit

Të gjitha këto janë gjëra që 50 mijë dollarë do mund të mbulonin realisht, në vend që të shkojnë për zëra abstraktë që nuk sjellin asnjë vlerë të qëndrueshme për publikun. Butrinti nuk është një markë për promovim politik apo fasadë pro-amerikane.

Ai është një pasuri e jashtëzakonshme e kombit shqiptar dhe duhet të mbrohet si i tillë. Nuk është  anti-amerikanizëm të kërkosh qeverisje transparente dhe kombëtare të trashëgimisë kulturore. Është përgjegjësi qytetare. Dhe pikërisht për këtë, çdo shqiptar ka të drejtën të pyesë: “50 mijë dollarë për çfarë?”