
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Metën, duke rrëzuar kërkesën e tij për lehtësim të masës. Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë do të vijojë të qëndrojë në paraburgim.
Meta kishte kërkuar zëvendësimin e masës me një më të butë, si “arrest në shtëpi” apo “detyrim për paraqitje”, duke e cilësuar vendimin fillestar të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) si të padrejtë dhe të motivuar politikisht. Por Apeli e rrëzoi këtë pretendim, duke konfirmuar masën aktuale.
Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur nga SPAK për disa akuza të rënda, përfshirë korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024.