
Policia e Shtetit ka zbardhur vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat, trupi i të cilit u gjet më 9 korrik pranë liqenit të Ulzës. Drejtori i Policisë Dibër, Artion Duka, deklaroi në konferencë për shtyp se hetimi intensiv dhe përdorimi i pamjeve filmike bënë të mundur identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të krimit.
Sipas tij, më 8 korrik në fshatin Zenisht, Burrel, Dobra u mor peng dhe u vra përmes mbytjes me litar. Autorët më pas hodhën makinën e tij në liqenin e Ulzës, ndërsa trupi mbeti pranë bregut.
U arrestuan Petrit Çakrri (55 vjeç) në Kukës dhe Fatjon Bushgjoka (34 vjeç) në Tiranë, ndërsa vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka janë shpallur në kërkim.
“Jam këtu, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë, z. Abaz Muçaj dhe me prokuroren e çështjes zj. Alisa Spahja, për t’ju bërë prezente rezultatet e hetimit intensiv dhe kompleks, i cili u finalizua me zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin e 23-vjeçarit, nga banesa.
Menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të asistuara nga ekspertë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Dibrës, për këtë rast.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D..
Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Tiranë dhe Kukës, në zbatim të urdhrit të prokurorit, vunë në pranga shtetasit:
-P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”;
-F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B..
Vijojnë kontrollet dhe kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar).
Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit “C”, pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.
Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.
23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve”, tha ai.