Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Kroaci shqiptari i shumëkërkuar për trafik droge


Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar së fundmi në Kroaci, si rezultat i një hetimi të përbashkët mes Policisë Italiane dhe asaj Kroate, në kuadër të një operacioni të gjerë për kapjen e të arratisurve të profilit të lartë.

Sipas autoriteteve italiane, arrestimi i shtetasit shqiptar T. A. vjen pas një hetimi gjashtëmujor të zhvilluar nga Shërbimi Qendror i Operacioneve, në bashkëpunim me partnerët kroatë dhe në mbështetje të një urdhri paraprak arresti për shkelje të ligjeve të trafikimit të narkotikëve.

T. A. ishte në arrati që prej shpërbërjes së një organizate kriminale ndërkombëtare, e përbërë nga shtetas shqiptarë, maqedonas dhe italianë, e përfshirë në trafikun e kokainës. Hetimi dyvjeçar që çoi në goditjen e këtij grupi kriminal solli ndjekje penale për 42 persona dhe zbatimin e 38 masave sigurie: 29 arrestime me burg, 9 në arrest shtëpie, si dhe sekuestrime të mjeteve të përdorura për aktivitetet e paligjshme.

Në momentin e ekzekutimit të masave të sigurisë, pesë nga anëtarët e grupit arritën të arratiseshin, ndërsa vetëm në ditët e fundit janë arrestuar tre prej tyre – përfshirë edhe T. A., i cili ishte strehuar në Kroaci për t’i shpëtuar drejtësisë.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me ato shqiptare dhe kroate, kanë zgjeruar zbatimin e urdhrave të ndalimit në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Arrestimi i fundit u bë i mundur falë koordinimit dhe shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve hetimore të të tre vendeve.