Vendosni fjalën kyçe....

Tatimet sqarojnë aksionin: Ambulantët s’kanë detyrim për faturë apo dokumentacion tatimor


Aksioni i nisur nga administrata tatimore me fokus forcimin e kontrollit të shitjes me faturë të produkteve blegtorale nga fermerët drejt prodhuesve dhe përpunuesve, në disa tregje rajonale është shoqëruar edhe me kontroll të inspektorëve te tregtarët ambulante.

Përmes një njoftimi Tatimet bëjnë me dije se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.

“Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.

Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë.

Detyrimet e vetme të një tregtari ambulant janë:

Të jetë mbi moshën 16 vjeç;

Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë;

Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse;

Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore;

Të paguajë: Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme”.

Administrata Tatimore mbetet e angazhuar në krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi me qytetarët, duke garantuar që çdo politikë tatimore të zbatohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të kuptueshme për të gjithë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor