Vendosni fjalën kyçe....

“Parimi bazë i një zone të mbrojtur është përfshirja e komuniteteve“ – Auron Tare



Studiuesi Auron Tare, ka kritikuar mënyrën se si po menaxhohet turizmi në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për përjashtimin e komunitetit lokal nga proceset vendimmarrëse dhe për emërimet që sipas tij nuk kanë lidhje me fushën.

Të paguash artikuj nga mediat e huaja, nuk është turizëm ky. Nuk emëron dot njerëz nga Opera e Baleti edhe të menaxhojnë turizmin e Shqipërisë. Se duhet të marrësh njerëz që merren me turizmin. Shko merru me Altinin e Mrizit, që ka bërë një model shumë të mirë. Merre të të japë mend Altini, jo të të japë mend Opera e Baleti e Shqipërisë. Operën e Baletit merre për ndonjë gjë tjetër, për koncerte. Është komplet për së mbrapshti.

I pyetur për rolin e investitorëve të huaj dhe vendas në zonat e mbrojtura, Tare theksoi:

Parimi bazë i një zone të mbrojtur është përfshirja e komuniteteve. Pa komunitete je i mbaruar, pra nuk e zhvillon dot konceptin e zonës së mbrojtur. Nuk mund të vijë dikush nga Londra, nga Vjena të bëjë turizëm në Theth, apo në Butrint, apo ku di unë.”

Ai solli një shembull të fundit:
“Butrinti ishte mbyllur në 6 e 18. Pse? Sepse e gjithë administrata, së bashku me punëtorët, i kanë marrë nga Gjirokastra, i çojnë me furgon në Butrint dhe i kthejnë përditë, dhe e mbyllin Butrintin në orën 6.”

Tare ka kritikuar mënyrën si është shkëputur administrata nga vendi ku ndodhen asetet:
E kanë marrë drejtorin e komunales së Gjirokastrës, që e kanë hequr mesa mora vesh për çfarë problemesh financiare, e kanë çuar në Butrint. Ka drejtor komunale Konispoli, p.sh., që është aty vendas? Apo Ksamilit, apo Finiqit? Pra, duhen banorët vendas. Duhet të jenë pjesë.”

Gazetarja e ndërpreu duke sugjeruar se ndoshta vendasit nuk janë të fushës apo profesionistë. Por Tare iu përgjigj:

“Unë në vitin ’99, kur zoti Rama ishte ministër atëherë dhe zoti Nano ishte kryeministër, më çuan në Butrint. Kam shkuar me dy qen, pa buxhet. Dhe e kam filluar nga zero, mbas ’97, vetëm me banorët lokalë. Të gjitha guidat që sot janë nga guidat më të mira, ekselente në Shqipëri, janë atje.”

Tare përmendi rastin e Gjokës, një banor i Shën Dellit, që kishte menaxhuar për vite një vilë romake, por që sot është braktisur:

Diaporidin që është një vilë e mrekullueshme romake, sot i ka dalë bari si kallami në ato varret e Elbasanit. Ajo menaxhohej nga një person, nga Gjoka nga Shën Dëlliu. U trajnua Gjoka nga British Fund, trajnim se si menaxhohet një vilë e vogël romake, përditë Gjoka në këmbë, dimër, shi, atje. Sot Gjoka rri, mbjell kumbulla në Shën Dëlli. Nuk e çon njeri të menaxhojë Diaporidin.”

Për Taren, ky është një shembull i qartë që nëse trajton njerëzit vendas dhe u jep mundësi, ata mund të bëjnë mrekulli.

Gazetarja vërejti se ndoshta personazhe si Gjoka duhet të paraqiten vetë, por Tare theksoi se administrata nuk njeh as Gjokën as vilën:

Administrata e komunales së Gjirokastrës jo vetëm që nuk njeh Gjokën, por s’e di ku është Diaporidi. S’e dinë ku ndodhet. Është një nga vilat romake më ekselente. Atje ka shkuar ta vizitojë mbretëresha e sotme e Anglisë, kur ka ardhur këtu në Butrint. E çuam ta shikonte.”

Tare e përmbylli me një krahasim përfaqësues për nivelin e njohurive të administratës:

Ishte një i tatimeve të Sarandës, i kërkonte Bardhës – që është një personazh i fruta-perimeve të Sarandës – i kërkonte etiketën se nga vinte rigoni. Ajo e shkreta i thoshte: ‘Rigoni në mal.’ Ai i thoshte: ‘Pa etiketë rigonin nuk do e shesësh.’ Dolën tatimet dhe i thanë: ‘Ore e ke gabim, zotëri, se këta ambulantët nuk kanë nevojë për ato që kërkonte ai zotëria, as për kasë fiskale.’ Pra, përfaqësuesi i shtetit kishte dalë atje dje dhe nuk dinte ligjin, se s’e kishte lexuar ligjin.”