Vendosni fjalën kyçe....

Kërkohet burgim për të miturin e akuzuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik



Prokurorët i kanë kërkuar Gjykatës që të martën të dënojë me burgim për të mitur një të ri të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, që ndodhi më 1 prill të këtij viti në Kaçanik.

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i mituri akuzohet se ka kryer vrasjen në bashkëpunim me pesë persona të tjerë, me “dashje dhe përgatitje paraprake”. Ngjarja ndodhi në shkallët e ndërtesës ku banonte rreshteri Lika, teksa po kthehej nga puna në orët e mbrëmjes, përcjell REL.

“I mituri, së bashku me të dyshuarit e tjerë, e kishte përcjellë viktimën deri në hyrjen e banesës së tij dhe kishte shtënë katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm, brenda një periudhe prej 47 sekondash”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Rreshteri Lika ndërroi jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra, siç është konfirmuar edhe në raportin e autopsisë.

I dyshuari i mitur, i arrestuar më 21 prill, vazhdon të mbahet në paraburgim. Ligji në Kosovë parashikon që një i mitur mund të dënohet me burgim nëse është mbi 16 vjeç dhe ka kryer një vepër të rëndë penale të dënueshme me më shumë se pesë vjet burgim. Afati maksimal i dënimit për të miturit, sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, është dhjetë vjet.

Në fund të prillit, të gjithë gjashtë të dyshuarit në këtë rast janë dërguar në paraburgim. Ndërsa motivet e sakta të vrasjes ende nuk janë bërë publike, autoritetet kanë lënë të kuptohet se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën zyrtare të viktimës si pjesëtar i Policisë së Kosovës.