
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka kërkuar ndërhyrje urgjente në të gjitha inspektoratet shtetërore, përmes një procesi vettingu të ngjashëm me atë në drejtësi. Sipas tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka përmbushur prej vitesh misionin e tij dhe duhej pezulluar më herët.
“Kam qenë zv.kryeministër dhe e kisha AKU-në në raport çdo muaj. Në vend të kontrolleve në fabrika apo depo ushqimore, më sillnin raporte për byrektore. Kjo nuk është siguri ushqimore,” – u shpreh Braçe, duke shtuar se ka ardhur koha për një standard të ri përgjegjësie në administratë.
Braçe theksoi se vetting-u duhet të shtrihet edhe në inspektoratet e gazit dhe naftës, për shkak të shqetësimeve të shumta mbi cilësinë e produkteve dhe ndikimin e tyre në mjedis. Ai propozoi gjithashtu që procesi të zgjerohet në sistemin doganor dhe tatimor, institucione që sipas tij kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në ekonominë kombëtare.
“Drejtuesit e këtyre institucioneve duhet të kenë mandate të kufizuara dhe të mos riciklohen më në poste të tjera. Reforma duhet të ndodhë tani, përndryshe nuk do të ndodhë më,” – tha ai.
Në lidhje me aksionin e IKMT-së në Theth, Braçe e mbështeti ndërhyrjen për shembjen e ndërtimeve pa leje, por theksoi nevojën për një plan të qartë zhvillimi për banorët, në mënyrë që zona të mos dominohet nga ndërtimi i pakontrolluar apo paraja e krimit.
“E ardhmja e Thethit nuk mund të jetë ‘tokë kam, ndërtoj ç’të dua’. Shteti duhet të japë drejtim, jo të reagojë me fadromë në momentin e fundit,” – deklaroi Braçe.