Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite do rishikojë projektin e qytetin gjigant në shkretëtirë


Ilustrim i zhvillimit të planifikuar të Neom në ‘The Line’. Burimi: Neom

Arabia Saudite u ka kërkuar firmave konsulente të kryejnë një rishikim strategjik të planeve të saj ambicioze për ndërtimin e një qyteti futurist të njohur si “The Line”, sipas disa personave të njohur me çështjen, ndërsa mbretëria vlerëson përparësitë për shpenzimet e saj të lidhura me projektin.

Një njësi e fondit sovran të pasurisë po u kërkon firmave të shqyrtojnë nëse planet e tanishme për “The Line” – e cila është planifikuar të jetë një qytet pa makina prej 170 kilometrash i gjatë që është pjesë e projektit të zhvillimit “Neom” të Arabisë Saudite – janë të realizueshme dhe të sugjerojnë ndryshime të mundshme, thanë personat, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin duke diskutuar çështje private.

Qeveria mund të vendosë që të mos ketë nevojë për ndryshime dhe projekti mund të ecë sipas planit, thanë personat. Çdo ndryshim do kërkojë pëlqimin e drejtuesve në Fondin e Investimeve Publike dhe më pas të vetë qeverisë, thanë ata.

“Siç është tipike me projektet në shkallë të gjerë dhe shumëvjeçare, rishikimet strategjike janë praktikë e zakonshme dhe ndodhin disa herë gjatë rrjedhës së një projekti të madh zhvillimi ose programi infrastrukturor”, tha “Neom” në një deklaratë.

“Linja mbetet një përparësi strategjike dhe Neom është e përqendruar në ruajtjen e vazhdimësisë operacionale, përmirësimin e efikasitetit dhe përshpejtimin e progresit për t’u përputhur me vizionin dhe objektivat e përgjithshme të projektit.”

Vlerësimi nënvizon shtytjen e vijueshme të mbretërisë për të rikalibruar projektet sipas planit të saj Vizioni 2030 për të riformësuar ekonominë. Çmimet më të ulëta të naftës, investimet e huaja më të dobëta se sa parashikoheshin dhe mungesat buxhetore nënkuptojnë se Arabia Saudite tani duhet të vendosë se në çfarë të përqendrohet së pari dhe me çfarë ritmi.

Çmimet e naftës së papërpunuar Brent aktualisht në rreth 71 dollarë për fuçi ushtrojnë presion të ri mbi financat e mbretërisë. Bloomberg Economics vlerëson se Arabia Saudite ka nevojë për një çmim prej 96 dollarësh për fuçi për të ekuilibruar buxhetin e saj dhe 113 dollarë nëse përfshihen shpenzimet e brendshme nga PIF për projektet e princit të kurorës.

Ilustrim i Linjës Burimi: Neom

Lëvizjet e fundit vijnë pas marrjes së detyrës nga Aiman Al-Mudaifer si drejtor ekzekutiv i “Neom”, një zonë më e gjerë ku “The Line” është pjesa kryesore. Një nga qëllimet kryesore të vlerësimit është kërkimi i mënyrave për të komercializuar projektin, thanë disa nga personat.

Një tjetër zhvillim në “Neom” është përballur gjithashtu me sfida. Sindalah, një projekt turistik i nivelit të lartë, është ende duke qëndruar pezull pavarësisht se u prezantua vitin e kaluar, thanë disa persona. Projekti ishte i pari që u hap në “Neom”, por ngeci për shkak të problemeve, duke përfshirë të metat në dizajn, thanë personat. “Neom” nuk pranoi të komentonte për Sindalah.

PIF nuk iu përgjigj një kërkese zyrtare për koment.

Linja është një nga projektet kryesore të planit prej 2 trilionë dollarësh të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman për ta çuar Arabinë Saudite në një epokë të pas naftës. Ngriti habi kur u njoftua në vitin 2017, duke pasur parasysh shkallën e madhe të ndërtimit të propozuar. Në një moment, qeveria shpresonte se do kishte 1.5 milion banorë deri në vitin 2030 dhe ende është menduar të ketë një stadium në majë të një rrokaqielli për të pritur ndeshjet për Kupën e Botës të vitit 2034.

Projekti është përballur me shkurtime, raportoi Bloomberg Neës vitin e kaluar, me zyrtarët që tani presin që projekti të strehojë më pak se 300,000 banorë deri në fund të dekadës.

Për momentin, askush nuk jeton atje përveç atyre që punojnë në vetë projetkin dhe vendet përreth.

Investitorët kanë bërë thirrje prej kohësh për racionalizimin e projekteve të stërmëdha, me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerësimin e tij të fundit të mbretërisë duke thënë se inkurajon rishikimet e reja të shpenzimeve të ndërmarra nga qeveria.

“Çdo plan që siguron shpenzime të përgjegjshme dhe qëndrueshmëri afatgjatë të projekteve përtej ngjarjeve të ardhshme si Lojërat Dimërore 2029, Ekspozita Botërore 2030 dhe Kupa e Botës FIFA 2034, është i mirëpritur”, tha Ziad Daoud, kryeekonomist i tregjeve në zhvillim në Bloomberg Economics.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi Arabia Saudite është zhvendosur nga një huadhënës neto për botën në një huamarrës neto.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani