Vendosni fjalën kyçe....

Përleshje në Sweida, mbi 30 të vrarë, autoritetet siriane dërgojnë trupa për të rivendosur rendin


Të paktën 37 persona janë vrarë në përleshjet e dhunshme midis fiseve beduine dhe luftëtarëve vendas druzë në qytetin jugor sirian të Sweidës, raportoi të hënën Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. 

Për shkak të përshkallëzimit të dhunës, autoritetet siriane kanë dërguar forca sigurie në përpjekje për të rivendosur rendin, mes frikës së rritjes së paqëndrueshmërisë në provincën me shumicë druze.

Sipas të dhënave të Observatorit, në përleshjet që shpërthyen në qytetin Sweida janë vrarë 37 persona, 27 prej tyre nga komuniteti druz, përfshirë edhe dy fëmijë, dhe 10 të tjerë nga fiset beduine. Kjo është hera e parë që regjistrohet një shpërthim kaq i ashpër dhune në zonë që pas përplasjeve të armatosura në prill dhe maj, ku u vranë dhjetëra njerëz nga komuniteti druz dhe forcat e sigurisë.

Gjithashtu, për shkak të përshkallëzimit të dhunës, është raportuar mbyllja e autostradës Damask–Sweida, një rrugë kyçe që lidh kryeqytetin me jugun e vendit.

Ministria e Brendshme e Sirisë njoftoi se numri i viktimave ka shkuar në mbi 30 të vrarë dhe rreth 100 të plagosur. Në një deklaratë zyrtare, ministria bëri të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, do të dërgojë trupa të cilat “do të ndërhyjnë drejtpërdrejt për të ndaluar përleshjet, për të vendosur rendin dhe sigurinë në zonë, si dhe për të identifikuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për ngjarjet e dhunshme.”