
Kryeministri Edi Rama, në një takim me deputetët e qarkut Tiranë, u ndal te aksioni për lirimin e hapësirave publike, duke hedhur poshtë zërat për ndërtim resortesh në Theth.
Rama paralajmëroi se çdo ndërtim në shkelje të ligjit do të shembet dhe theksoi se deri në vitin 2028 do të përfundojë procesi i legalizimeve, por pa toleruar shkelje.
“Nuk bëhet fjalë për të ndërtuar resorte turistike, është jashtë çdo lloj opsioni. Dua të them që të gjithë teoritë për këtë operacion janë për të ardhur keq dhe dezinformim. Ata që dalin dhe bëjnë zhurmë s’janë banorët e Thethit”, tha ai.
Rama ka paralajmëruar se çdo ndërtim në shkelje të infrastrukturës dhe hapësirës publike do të rrafshohet.
“Kemi marrë përsipër qe brenda 2028 të mbyllim procesin e legalizimit, por ta harrojë që dikush do të legalizojë në shkelje të ligjit,. Historia “ndërto sot që të legalizosh nesër” nuk do të ecë më. Çdo ndërtim në shkelje të infrastrukturës dhe hapësirës publike do të rrafshohet”, tha Rama.