Vendosni fjalën kyçe....

Sfida e ndërlikuar e Ballkanit Perëndimor



Nga Jorida Tabaku

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndryshuar rrënjësisht peizazhin gjeopolitik të Evropës. Ky është një moment kyç që kërkon jo vetëm më shumë unitet, por edhe një rishikim strategjik të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në thelb të këtij procesi qëndron një nevojë urgjente: integrimi i Ballkanit Perëndimor në hapësirën demokratike dhe ekonomike të Evropës. Rajoni ndan vlera europiane, synon një të ardhme më të mirë dhe sot, më shumë se kurrë, duhet të trajtohet si një pjesë thelbësore e vetë Bashkimit Evropian.

Rikthimi i vëmendjes dhe energjive drejt zgjerimit duhet të udhëhiqet nga lidership i guximshëm dhe reforma të thella strukturore, parime që prej kohësh janë mbështetur nga Partia Popullore Evropiane (EPP). Zgjedhja e Friedrich Merz si kancelar i Gjermanisë shënon një pikë kthese. Nën drejtimin e CDU-së nisi Procesi i Berlinit, duke krijuar një platformë të re për të shtyrë përpara reformat në rajon edhe në periudha të vështira. Sot, një grup i ri parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag pritet t’i japë një dimension të ri këtij angazhimi. Kjo vëmendje duhet të përkthehet në rezultate konkrete: nxitjen e investimeve të huaja, forcimin e llogaridhënies politike dhe zbatimin e reformave që përforcojnë shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike. Si Bashkimi Evropian ashtu edhe vendet kandidate mbajnë një përgjegjësi të përbashkët – jo vetëm për të vazhduar reformat, por për të përshpejtuar procesin e integrimit.

Ballkani Perëndimor ndodhet në një udhëkryq. Me mbështetjen e duhur, ai mund të kthehet në një urë strategjike midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, dhe një burim zhvillimi të qëndrueshëm për vetë kontinentin. Investimet në teknologji, inteligjencë artificiale, energji të rinovueshme dhe industri digjitale mund të hapin një kapitull të ri për zhvillimin ekonomik të rajonit. Por pa qeverisje të mirë dhe institucione funksionale, këto mundësi do të mbeten vetëm potencial i parealizuar.

Zhvillimi ekonomik dhe integrimi politik nuk mund të ecin të ndarë. Vlerat bazë të Bashkimit Evropian – pluralizmi, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit – janë të panegociueshme. Demokracia nuk është e plotë pa opozitë funksionale, media të lirë dhe institucione të pavarura. Nuk mjafton të miratohen ligje për të përmbushur kërkesat formale të Brukselit; reforma duhet të përkthehet në përmirësim real të jetës së qytetarëve. Raportet e progresit duhet të vlerësojnë jo vetëm sa ligje janë miratuar, por edhe sa janë zbatuar dhe sa realisht janë ndjerë efektet e tyre.

Demokracia pa opozitë nuk është demokraci. Një opozitë e fortë dhe e besueshme është thelbësore për të balancuar pushtetin dhe për të garantuar zhvillimin demokratik. Pluralizmi duhet të trajtohet si një kriter kyç për anëtarësimin në BE, njësoj si ekonomia funksionale apo reforma në drejtësi. Vetëm përmes konkurrencës politike dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile mund të ndërtohet një integrim evropian me legjitimitet dhe qëndrueshmëri.

Sot ekziston një mundësi reale për të kaluar nga retorika në veprim. Mbi 82% e qytetarëve të rajonit mbështesin bashkëpunimin rajonal si një mjet për rritje ekonomike. Është koha për të shtyrë përpara politika që shkojnë përtej strukturave formale: pavarësi të gjyqësorit, luftë kundër korrupsionit, liberalizim të tregjeve dhe investime në kapitalin njerëzor. BE-ja duhet të rrisë praninë e saj përmes iniciativave që lidhin konsolidimin demokratik me zhvillimin ekonomik.

Gjermania ka një rol të veçantë për të luajtur në këtë proces. Bashkëpunimi parlamentar mes Bundestagut dhe parlamenteve të Ballkanit Perëndimor mund të krijojë një model të ri për ndërtimin e besimit dhe për shkëmbimin e përvojës. Diplomacia parlamentare duhet të jetë pjesë thelbësore e qasjes evropiane – jo vetëm për të forcuar marrëdhëniet ndërqeveritare, por për të fuqizuar institucionet përfaqësuese dhe rolin e deputetëve në vetë procesin e integrimit.

Në këto kohë të paqarta, besueshmëria e Bashkimit Evropian do të matet nga aftësia për të udhëhequr me shembull dhe për të përputhur fjalët me veprimet. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me përfundimin e një procesi të mbetur pezull – por me aftësinë e Unionit për të formësuar të ardhmen e vet strategjike. Nëse BE-ja nuk ofron një rrugë të qartë dhe të besueshme për Ballkanin Perëndimor, boshllëku do të mbushet nga aktorë të tjerë që nuk ndajnë të njëjtat vlera. Kjo do të nënkuptonte më shumë destabilizim, më shumë dezinformim dhe më shumë ndërhyrje në ekonominë e rajonit.

Ky është momenti për një partneritet të vërtetë mes BE-së, vendeve kandidate dhe atyre në procesin e anëtarësimit. E ardhmja është e përbashkët. Nxitja e reformës demokratike, forcimi i pluralizmit politik dhe investimi në transformimin ekonomik nuk janë luks – janë domosdoshmëri. Janë rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme, begatisë dhe legjitimitetit në kufirin juglindor të Evropës.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Frankfurter Rundschau