
Të paktën tetë palestinezë, shumica prej tyre fëmijë, u vranë dhe mbi një duzinë të tjerë u plagosën të dielën në qendër të Gazës, si pasojë e një goditjeje me raketë nga ushtria izraelite, e cila, sipas ushtrisë, nuk goditi objektivin e synuar.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se kishin synuar të godisnin një militant të grupit Xhihadi Islamik, por një defekt teknik bëri që raketa të binte “disa dhjetëra metra larg objektivit”.
“IDF shpreh keqardhje për çdo dëm të shkaktuar civilëve që nuk janë të përfshirë në konflikt,” thuhej në deklaratën e saj, duke shtuar se incidenti është në shqyrtim, përcjell Reuters.
Goditja ndodhi pranë një pike shpërndarjeje uji në kampin e refugjatëve Nuseirat, duke lënë të vdekur gjashtë fëmijë dhe të plagosur 17 persona të tjerë, sipas mjekut urgjencës Ahmed Abu Saifan nga Spitali Al-Awda.
Kriza e ujit në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit, pasi mungesa e karburantit ka detyruar mbylljen e impianteve të desalinimit dhe të përpunimit të ujërave të zeza, duke i detyruar banorët të mbështeten në qendra grumbullimi uji për të mbushur enët e tyre plastike.
Në një tjetër sulm, sipas mediave palestineze, një mjek i njohur konsulent u vra së bashku me 11 persona të tjerë pas një sulmi izraelit në një treg të mbushur me njerëz në qytetin e Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi të dielën se mbi 58,000 persona janë vrarë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në tetor 2023, me 139 viktima të reja vetëm në 24 orët e fundit. Ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, por thekson se më shumë se gjysma e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.
Bllokadë në bisedimet për armëpushim
Përpjekjet për të arritur një armëpushim mbeten të bllokuara, me palët që vazhdojnë të jenë të ndara sa i përket shkallës së tërheqjes izraelite nga Gaza, sipas burimeve palestineze dhe izraelite.
Bisedimet jo të drejtpërdrejta mbi një propozim amerikan për një armëpushim 60-ditor po zhvillohen në Doha, por optimizmi i javës së kaluar për një marrëveshje të mundshme është zbehur, me të dyja palët që fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë fleksibiliteti.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë 251 pengje në Gaza.
Të paktën 20 nga 50 pengjet që besohet se ndodhen ende në Gaza mendohet të jenë gjallë.
Fushata e Izraelit kundër Hamasit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej më shumë se 2 milionë banorësh në Gaza, por sipas palestinezëve, askund nuk është e sigurt brenda enklavës.