
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se bashkëpunimi i vendit të tij me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nuk është ndërprerë, por do të marrë një formë të re për shkak të kushteve dhe zhvillimeve të fundit. Në një deklaratë për mediat, Araghchi theksoi se Irani nuk e sheh armën bërthamore vetëm si çnjerëzore, por edhe si të papajtueshme me mësimet e Islamit, përcjell Open Source.
Ai shtoi se Teherani nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk përfshin të drejtën për pasurimin e uraniumit, ndërsa përjashtoi mundësinë e negociatave mbi kapacitetet ushtarake të Iranit.
“Po të kishim dashur armë bërthamore, do ta kishim bërë tashmë. Ose do ta kishim përdorur situatën aktuale si justifikim të përsosur,” tha Araghchi. Ai theksoi gjithashtu se çdo rikthim në tryezën e bisedimeve me Perëndimin duhet të shoqërohet me garanci të qarta se Irani nuk do të sulmohet.
Deklaratat vijnë mes tensioneve në rritje për shkak të programit bërthamor të Iranit dhe pas goditjeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane muajin e kaluar.