Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferi e kontinentit



Gjatë fjalës së tij në Forumin e Dubrovnikut 2025, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur:

“Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferi e kontinentit – ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.”

Në një panel me përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, BE-së, SHBA-së, Gjirit, Brazilit dhe Afrikës, ministri Hasani theksoi se në një epokë të pasigurisë dhe rivalitetit gjeopolitik, besimi, transparenca dhe transformimi demokratiknuk janë më opsione, por domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë – është kontribuuese. Nuk presim – po ecim përpara,”deklaroi Hasani.

Ministri nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grupkapituj negociues me Bashkimin Evropian, duke përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm, dhe se rruga drejt integrimit është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Hasani paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit të BE-së krijojnë boshllëqe që mund të shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për përshpejtimin e integrimit.

“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane,” përfundoi ministri Hasani.