Vendosni fjalën kyçe....

Tajvani analizon konfliktin Izrael-Iran për të forcuar strategjinë e mbrojtjes kombëtare


Tajvani ka nisur stërvitjen më të madhe ushtarake në historinë e tij, duke mobilizuar mbi 22 mijë rezervistë dhe duke testuar skenarë përballjeje me sulme kibernetike dhe raketore, ndërsa po sheh me vëmendje një tjetër konflikt që po formëson strategjinë e tij: luftën 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit. Për një vend demokratik të rrethuar nga një fuqi më e madhe si Kina, përballja e Izraelit me një hegjemoni rajonale si Irani është kthyer në një rast studimi për mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë. Përfaqësuesja e Tajvanit në Izrael, Abby Ya-Ping Lee, ka deklaruar se ka ndarë në kohë reale çdo informacion nga konflikti me autoritetet tajvaneze, duke theksuar rëndësinë jetike të këtij mësimi. Sipas saj, Tajvani, i cili përballet prej dekadash me kërcënime hibride nga Kina, duhet të përshpejtojë forcimin e aftësive të tij mbrojtëse dhe të rrisë rezistencën e shoqërisë, përcjell Jerusalem Post.

Operacioni “Luani në ngritje” i Izraelit, i nisur më 13 qershor, përfshiu goditje ajrore dhe tokësore ndaj objektivave strategjike iraniane, përfshirë shkencëtarë bërthamorë dhe figura politike. Në kundërpërgjigje, Irani lëshoi mbi 550 raketa balistike dhe dërgoi mbi 1,000 dronë shpërthyes drejt Izraelit. SHBA, që mbështeti Izraelin gjatë gjithë konfliktit, ndërhyri drejtpërdrejt më ditën e nëntë me goditje ndaj tre objekteve bërthamore iraniane. Një nga elementët që ka bërë më shumë përshtypje në Tajvan ishte suksesi i Izraelit në paralizimin e sistemeve iraniane të mbrojtjes falë inteligjencës së avancuar. Lee theksoi se Tajvani duhet të investojë më shumë në rrjete inteligjence dhe aftësi kibernetike, si dhe të thellojë bashkëpunimin me aleatët për të parandaluar veprime të befasishme dhe armiqësore.

Tajvani po përqendrohet gjithashtu në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe ndërtimin e një infrastrukture më të decentralizuar, përfshirë vendosjen e dhomave të sigurta në objekte publike dhe transport urban. Shteti ka nisur ndërtimin e ambienteve të sigurta në godinat e reja, me fokus fillestar në institucionet publike dhe stacionet e trenave, ndërsa po shqyrtohen mënyrat për të përshtatur ndërtesat ekzistuese ndaj rrezikut të sulmeve ajrore. Ndërkohë, në të gjithë vendin po zhvillohen stërvitje për emergjencat, që synojnë përgatitjen e popullsisë për skenarë të luftës reale.

Për Tajvanin, aleanca me SHBA-të është një shtyllë themelore e strategjisë së mbrojtjes. Lee vuri në dukje se reagimi i shpejtë amerikan ndaj sulmeve ndaj Izraelit ishte një mesazh inkurajues për vendet e tjera demokratike në rajon. Ajo theksoi se Tajvani jo vetëm që merr ndihmë ushtarake nga SHBA në formë financimi, por gjithashtu ka forcuar trajnimin e përbashkët të ushtarakëve tajvanezë dhe amerikanë. Këto përpjekje janë përforcuar këtë javë, kur ushtria tajvaneze prezantoi për herë të parë tanket amerikane M1A2T Abrams në një demonstrim të drejtpërdrejtë, ku mori pjesë edhe presidenti Lai Ching-te. Në veshje ushtarake, ai theksoi se çdo përmirësim i kapaciteteve ushtarake është një shtresë e re sigurie për qytetarët tajvanezë.

Përveç përgatitjes ushtarake, Tajvani po fokusohet në forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë. Gjatë sulmeve iraniane, qytetarët izraelitë treguan një nivel të lartë organizimi dhe vetëdijeje, me protokolle të qarta për strehim, qasje në informacione zyrtare dhe reagim ndaj sirenave. Tajvani synon të ndjekë këtë shembull duke përfshirë popullsinë në stërvitje urbane dhe duke zhvilluar një aplikacion të ngjashëm me atë të Komandës së Frontit të Brendshëm në Izrael. Ndërkohë, autoritetet janë duke përforcuar përgatitjen psikologjike të popullsisë për situata emergjente, duke zhvilluar bashkëpunime me ekspertë izraelitë për trajtimin e traumës kolektive dhe për ruajtjen e funksionimit shoqëror nën kërcënim të vazhdueshëm.

Në një vizitë simbolike solidariteti, përfaqësuesja tajvaneze vizitoi këtë javë Qendrën Mjekësore Soroka në Beersheba, e cila u godit nga një raketë iraniane. Vizita kishte për qëllim të kuptonte më thellë kapacitetin mjekësor dhe qëndrueshmërinë në kohë lufte. Sipas Lee, Tajvani është i vetëdijshëm se nuk mund ta ndalë i vetëm një superfuqi si Kina, por është i përkushtuar të ndërtojë një mbrojtje të fortë, që do të tërheqë ndihmën e aleatëve në rast sulmi. Mësimet nga Izraeli po përkthehen në veprim konkret, duke përfshirë çdo hallkë të shtetit dhe shoqërisë në përgatitjen për të papriturën.