Vendosni fjalën kyçe....

Ngjarja në Theth, sqarimi i policisë: Molotov vetëm ndaj urës, pa dëmtime për fadromat


Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka sqaruar ngjarjen e ndodhur sot në Theth, ku u raportua për një sulm me lëndë djegëse ndaj mjeteve fadromë të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe për djegien e një ure të vogël druri.

Sipas policisë, rreth orës 15:35, një person ende i paidentifikuar hodhi në rrugë një shishe me lëndë djegëse me qëllim djegien e një ure druri në lagjen “Gjelaj”. Falë ndërhyrjes së policisë, djegia e plotë e urës u parandaluar, por ura pësoi dëmtime të pjesshme nga zjarri.

Policia sqaron se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk ka pasur dëme materiale apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

Në zonë janë të pranishme shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Forca e Sigurisë Kombëtare, që mbështesin strukturat e IKMT Tiranë dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.

Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi lëndën djegëse.

Policia apelon banorët që të mos pengojnë veprimet ligjore të strukturave në terren, duke paralajmëruar se çdo veprim i tillë do të përballet me forcën e ligjit.

 

Njoftimi:

Në lidhje me një lajm të publikuar në media dhe rrjete sociale, se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotov) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen “Gjelaj”, sqarojmë se:

Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.

Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.

Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.

Policia është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit.