
Më shumë se 160 persona rezultojnë ende të zhdukur në Teksas, disa ditë pasi përmbytjet e furishme gjatë fundjavës së 4 Korrikut shkaktuan mbi 100 viktima. Guvernatori Greg Abbott deklaroi të martën se shifra e të zhdukurve është trefishuar krahasuar me njoftimet e mëparshme, pasi autoritetet vendosën në funksion një linjë telefonike për raportimin e rasteve nga familjarët.
Pjesa më e madhe e të zhdukurve janë në Qarkun Kerr, zonë e njohur për kampingje dhe pushime verore. Një nga më të goditurat është Kampi “Mystic”, një kamp i krishterë për vajza, ku humbën jetën të paktën 27 kampiste dhe këshilltare. Edhe pesë vajza dhe një këshilltar janë ende të zhdukur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit, përfshirë forca tokësore, ajrore, mbi kuaj dhe qindra vullnetarë, janë angazhuar në një nga operacionet më të mëdha në historinë e Teksasit, duke përdorur mjete të rënda për të pastruar shtresat e pemëve dhe rrënojat nëpër brigjet e lumenjve.
Sipas meteorologut Bob Henson, kjo është përmbytja më vdekjeprurëse e brendshme në SHBA që nga tragjedia e vitit 1976 në Kanionin Big Thompson të Kolorados, ku u raportuan 144 viktima.
Ndërkohë, autoritetet po përballen me kritika për mungesën e paralajmërimeve për rrezikun e përmbytjeve. Guvernatori Abbott, pas një inspektimi ajror në zonën e katastrofës, shmangu pyetjet për përgjegjësitë.”/AP