
Kryeministri Rama tha sot se qeveria do paraqesë disa nisma të reja ligjore për kontrollin dhe zhvillimin e territorit, përpunimin e plehrave dhe furnizimin me ujë të pijshëm.
Ai paralajmëroi ata që i quajti zaptues të hapësirave publike ndërsa shigjetoi edhe punonjësit e IMT-së dhe policitë bashkiake në mbarë vendin, që sipas tij janë bërë pjesë e problemit me zaptimin e hapësirave publike.
“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.