
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore, dega në Lipjan, caktimin e masës së paraburgimit për pesë zyrtarët policorë të ndaluar në lidhje me vdekjen e Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën në orët e para të 7 korrikut.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, e cila bëri të ditur se kërkesa për paraburgim është dorëzuar nga prokurori i çështjes.
Zejnullahu kishte qenë në gjendje të dehur kur u arrestua nga policia me dyshimin se po shkaktonte shqetësim publik. Pak orë pas ndalimit, ai ndërroi jetë, duke ngritur dyshime të forta për keqtrajtim apo neglizhencë nga ana e forcave të rendit.
Pesë zyrtarët janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre rëndon dyshimi për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre nga detyra, ndërsa Avokati i Popullit ka nisur hetime për të verifikuar nëse janë shkelur të drejtat e njeriut gjatë ndërhyrjes policore.