
Porti më i madh i Evropës po përgatitet për një luftë të mundshme me Rusinë duke rezervuar hapësirë për anijet që transportojnë furnizime ushtarake dhe duke planifikuar se ku do shkojnë ngarkesat nëse shpërthen lufta.
Boudewijn Siemons, drejtor ekzekutiv i Autoritetit Portual të Roterdamit, tha se po bashkërendohej me fqinjin Antwerp se si të menaxhoheshin ngarkesat ushtarake nëse mbërrinin automjete dhe furnizime britanike, amerikane dhe kanadeze.
“Jo çdo terminal është i përshtatshëm për trajtimin e ngarkesave ushtarake”, tha ai për Financial Times në një intervistë.
“Nëse do duhej të transportoheshin vëllime të mëdha mallrash ushtarake, ne do kërkonim ndihmën e Antwerp ose porteve të tjera për të marrë përsipër një pjesë të kapacitetit dhe anasjelltas. Ne e shohim njëri-tjetrin gjithnjë e më pak si konkurrentë. Dhe, sigurisht, ne konkurrojmë aty ku duhet, por punojmë së bashku aty ku mundemi.”
Masat e Roterdamit janë pjesë e një vale përgatitjesh për luftë në gjithë kontinentin. BE-ja po harton një plan riarmatimi deri në 800 miliardë euro, ndërsa përpiqet të bëhet më e vetëmjaftueshme në mbrojtje në përgjigje të kërkesave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe për të penguar agresionin rus, ndërsa pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia hyn në vitin e katërt.
Holanda, së bashku me aleatët e saj të NATO-s, është zotuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së. Në maj, ministria holandeze e mbrojtjes njoftoi se Roterdami do duhet të ofrojë hapësirë për përballimin e anijeve të shumta që transportojnë ngarkesa ushtarake me kërkesë të NATO-s.
Siemons tha se një ose më shumë anije do ankoroheshin në kalatë për disa javë, katër ose pesë herë në vit, megjithëse vendndodhja mund të ndryshojë. Terminali i kontejnerëve të Roterdamit është i vetmi vend ku porti mund të transferonte në mënyrë të sigurt municione nga një anije në tjetrën.
Do të ketë gjithashtu stërvitje ushtarake amfibe disa herë në vit. Porti ka trajtuar armatime edhe më parë, me një rritje gjatë luftës së Gjirit nga viti 2003, por edhe në kulmin e luftës së ftohtë, nuk kishte një kalatë të dedikuar. Antverp merr rregullisht furnizime për trupat amerikane të stacionuara në Evropë.
Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i paralajmëroi anëtarët e aleancës në qershor se Rusia mund të sulmonte njërën prej tyre deri në vitin 2030.

Roterdami shtrihet për 42 km përgjatë lumit Meuse në Holandë. Ai përpunon rreth 436 milionë ton mallra çdo vit, duke marrë 28,000 anije nga deti dhe 91,000 anije nga lumi nga Gjermania dhe zonat e thella të Evropës. Porti humbi rreth 8 përqind të tregtisë së tij, kryesisht naftë, pasi BE-ja vendosi sanksione ndaj Rusisë. Antwerp përpunon 240 milionë ton mallra çdo vit, duke e bërë atë portin e dytë më të madh në BE. Siemons tha se dy portet po punonin gjithashtu së bashku për të përmirësuar vetëmjaftueshmërinë e Evropës.
“Ekipet tona po punojnë gjithnjë e më ngushtë së bashku në një numër çështjesh, duke përfshirë edhe qëndrueshmërinë.”
Pandemia e Covid-19, e cila i la vendet evropiane të kërkonin pajisje mbrojtëse dhe ilaçe, nxori në pah varësinë e tyre nga disa furnizues si Kina dhe India. Pakësimi i menjëhershëm i rrjedhës së naftës ruse pas pushtimit të Ukrainës ishte një mësim tjetër, tha Siemons.
Ai bëri thirrje që vendet evropiane të grumbullojnë më shumë furnizime thelbësore, siç bëjnë me naftën. BE-ja urdhëroi që anëtarët të mbanin një furnizim strategjik 90-ditor me naftë pas shokut të naftës të vitit 1973, kur vendet arabe e frenuan prodhimin për të ushtruar presion mbi perëndimin gjatë luftës së tyre me Izraelin.
“Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë me lëndë si bakri, litiumi, grafiti dhe një numër mineralesh jetike” tha Siemons.
“E kemi te nafta, nuk e kemi ende për gaz, dhe, sigurisht, kemi disa fusha gazi në Evropë që mund ta përballojnë këtë, por duhet të shohim një spektër më të gjerë të qëndrueshmërisë strategjike, edhe në farmaceutikë? Dhe sa elastikë jemi ne si shoqëri? Dhe kjo po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme ndërsa bota po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme.”
Ai tha se zonat përreth porteve, të cilat kanë rrjete të mira shpërndarjeje, do ishin të përshtatshme për rezerva të tilla. Një pjesë e rezervës strategjike të naftës holandeze është në Roterdam.
BE-ja do të zbulojë një “strategji magazinimi” të martën që do mbulojë furnizimet mjekësore, lëndët e para kritike, pajisjet e energjisë, strehimin dhe potencialisht ushqimin dhe ujin.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani