Vendosni fjalën kyçe....

Plagosi me thikë një person në Durrës, kapet 17-vjeçari i shpallur në kërkim


Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pas finalizimit të operacionit “Wanted”. I riu ishte në kërkim pasi më 14 maj 2025 kishte plagosur rëndë me thikë një shtetas tjetër në qytet.

Ai u kap në lagjen nr. 8 dhe ndaj tij Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën “arrest me burg” për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”.

Njoftimi:

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”

Kapet dhe vihet në pranga një 17-vjeçar, për plagosje të rëndë me dashje.

Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wanted”.

Si rezultat, në lagjen nr. 8, Durrës, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. N., 17 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Ky shtetas, më datë 14.05.2025, ka plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. R.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.