
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se reforma në drejtësi ka sjellë rezultatet e pritura në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian, por theksoi se mbajtja e këtij kursi është thelbësore.
Gjatë tryezës së organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me temë “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme”, Gonzato vlerësoi SPAK-un si një institucion kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së balancës ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies, duke paralajmëruar se mungesa e kësaj të fundit mund të çojë në abuzime me pushtetin. Gonzato theksoi se presionet ndaj drejtësisë së re duhet të ndalen dhe se monitorimi i vazhdueshëm nga shoqëria civile është pjesë e domosdoshme e procesit të integrimit.
“Vendimet gjyqësore kanë vlerësim dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzime me pushtetin.
Në raportet tona të zgjerimit siç kemi thënë dhe në atë të sundimit të ligjit, kemi thënë se arkitektura e reformës në drejtësi ofron drejtpeshim të duhur dhe të drejtë ndërmjet llogaridhënes dhe pavarësisë.
Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE.
Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë.
Ajo që shikojmë sot është pjesë e procesit të anëtarësimit, monitorimi nga shoqëria civile. Të gjitha këto gjëra themelore në çdo sistem”, u shpreh Gonzato.
Teksa tha se dëshiron ta shikojë ‘gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh’, Gonzato u shpreh u ndal edhe te KLP, të cilën e vlerësoi për ecurinë që ka bërë në vlerësimin e prokurorëve.
“Dua që gotën ta shikoj gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh se duhet të ruajmë këto hapa pozitivë që janë bërë tashmë. Së pari theksoj arritjet e KLP që kam pasur kënaqësi ta takoj në formatin e vet të plotë kohët e fundit. Vlerësimi ynë tregon se KLP ka pasur ecuri domethënëse në krahasim me vitet e mëparshme për vlerësimin e prokurorëve. Edhe vlerësimet e prokurorëve bazohen te performanca e tyre. Këto tregues duhet të jenë objekt i shqyrtimeve të strukturuara dhe metodologjike.
Psh kritere si efikasiteti i çështjeve, aftësitë menaxheriale dhe etika në punë mund të kërkojnë përshtatje dhe kemi besim se KLP do t’i bëjë këto rishikime. Por pjesa e llogaridhënies nuk mbetet në mënyrë ekskluzive mbi shpatullat e KLP, prandaj kemi inkurajuar dhe ILD dhe Shkollën e Magjistraturës. Kemi mirëpritur se takime të tilla janë bërë më të shpeshta duke shënuar hap të rëndësishëm përpara sa i takon llogaridhënies.”, shtoi Gonzato.
Më tutje, vlerësoi gjithashtu edhe procesin transparent të zgjedhjes së kreut të SPAK, duke shtuar se një praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe me emërime të tjera.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, kërkoi një pasqyrim më të qartë të rolit të mbledhjes së prokurorëve në raportet vjetore të SPAK, si dhe adresimin e boshllëqeve ligjore që lidhen me përfundimin e mandatit të prokurorëve të posaçëm. Sipas tij, kjo çështje është ngritur tashmë si shqetësim në Kuvend dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por ende kërkon një zgjidhje të qartë.
Dumani theksoi gjithashtu se rekomandimet e Kuvendit janë trajtuar nga SPAK, por kërkoi që ato të bazohen në analiza të thelluara dhe objektive, për të shmangur keqkuptime apo ndikime të njëanshme.
Duke u ndalur te llogaridhënia, Dumani theksoi se ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por shtoi se përpjekjet për të cenuar pavarësinë e institucionit rrezikon që të çbalancojë kufijtë kushtetues. Kreu i SPAK theksoi gjithashtu se edhe vërejtja se ekzekutivi duhet të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve.
Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.”, shtoi Dumani.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manjanga ana tjeter deklaroi se balanca mes pavarësisë dhe llogaridhënies është thelbësore për funksionimin e drejtësisë, duke e cilësuar SPAK-un si një nga arritjet më konkrete të reformës në drejtësi.
Në tryezën e diskutimit mbi integritetin dhe performancën e Prokurorisë së Posaçme, Manja theksoi se pavarësia institucionale nuk mund të jetë qëllim në vetvete, nëse nuk shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë llogaridhënieje.
“SPAK është ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale, por kjo pavarësi duhet të shoqërohet me transparencë dhe përgjegjësi për të shmangur vetë-referencën,” u shpreh Manja.
Në përfundim, ai nënvizoi se një drejtësi që jep llogari për rezultatet është thelbësore për legjitimitetin e saj, duke i bërë thirrje institucioneve të përqafojnë një kulturë të re të transparencës dhe profesionalizmit.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një drejtësi që jo vetëm është e pavarur, por edhe që jep llogari për rezultatet e saj. Kjo kërkon transparencë, standarde të qarta etike dhe profesionale, si dhe një kulturë të re institucionale që e sheh llogaridhënien jo si kërcënim, por si pjesë përbërëse të legjitimitetit të saj”, theksoi Manja.
Ndërkaq kujtojmë se Partia Socialiste ngriti komisionin antikorrupsion qe u miratua me 30 maj vetëm me 74 votat e socialistëve, pasi demokratët e bojkotuan duke u larguar nga senaca plenare dhe vetëm 6 që ishin në sallë, votuan kundër. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Anti-korrupsionin kryesohet nga deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, ndërsa anëtarët si më poshtë: Klotida Bushka, Eduard Shalsi, Etilda Gjonaj, Evis Kushi, Toni Gogu.
Disa muaj me pare, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me akuza për një skemë korruptive që përfshinte kompani dhe OJF të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe biznesmenë pranë tij për transaksione mbi 1 milion euro, kryeministri Edi Rama ndryshoi qëndrimin ndaj Prokurorisë së Posaçme.
Rama kaloi në akuza të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut, duke konsideruar arrestimin si antikushtetues.
Ai mohoi ekzistencën e një çështjeje konkrete korrupsioni dhe e përshkroi dosjen si një narrativë voluminoze mbi jetën e tij dhe bashkëshortes se Veliajt.



