
Vendndodhja arkeologjike në Gjermani u gërmua nga viti 2004 deri në vitin 2009. Roebroeks/Universiteti i Leidenit
Njerëzit e Epokës së Gurit që jetonin pranë një liqeni në atë që tani është Gjermania, përpunonin sistematikisht kufomat e kafshëve për lëndë ushqyese yndyrore – duke vënë në punë atë që shkencëtarët e përshkruajnë si një “fabrikë yndyre”, sipas një studimi të ri.
Arkeologët zbuluan fabrikën duke analizuar rreth 120,000 copëza kockash dhe 16,000 vegla prej stralli të zbuluara gjatë disa viteve në një vend të njohur si Neumark-Nord, në jug të qytetit të Halle-s, raportuan ata në një studim të botuar të mërkurën në revistën Science Advances. Gërmuesit gjetën artefaktet së bashku me prova të përdorimit të zjarrit.
Studiuesit besojnë se Neandertalët, një specie e zhdukur e njeriut që dihet se ka jetuar në atë zonë 125,000 vjet më parë, i copëtuan kockat e pasura me palcë në copa më të vogla me çekiçë guri, pastaj i zienin për disa orë për të nxjerrë dhjamin, i cili noton në sipërfaqe dhe mund të hiqet me anë të ftohjes, shkruan CNN.
Meqenëse kjo arritje do kishte përfshirë planifikimin e gjuetive, transportimin dhe ruajtjen e kufomave përtej nevojave të menjëhershme të ushqimit dhe shkrirjen e dhjamit në një zonë të caktuar posaçërisht, zbulimi ndihmon në krijimin e një tabloje të organizimit, strategjisë dhe aftësive të mbijetesës së grupit.

Studiuesit besojnë se Neandertalët i copëtuan kockat e kafshëve në copa të vogla përpara se t’i zienin për të nxjerrë lëndët ushqyese. Kindler/LEIZA-Monrepos
Një sërë zbulimesh arkeologjike në dhjetëvjeçarët e fundit kanë treguar se Neandertalët ishin më të zgjuar nga sa mund të sugjerojë stereotipi i tyre brutal. Hollësitë në hulumtimin e ri sugjerojnë se Neandertalët mund të kenë qenë të sofistikuar edhe në qasjen e tyre ndaj të ushqyerit.
Neandertalët që jetuan në vendin gjerman gjatë një periudhe 300-vjeçare gjithashtu e kuptuan qartë vlerën ushqyese të yndyrës së kockave që prodhuan, sipas studimit.
Një sasi e vogël yndyre është një pjesë thelbësore e një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar. Lënda ishte edhe më thelbësore për gjuetarët, siç ishin Neandertalët, të cilët me shumë mundësi vareshin shumë nga ushqimet shtazore.
Pjesërat e mishit nga muskujt e kafshëve përmbajnë shumë pak yndyrë, duke i bërë kockat – të cilat përmbajnë palcë dhe inde të tjera yndyrore edhe kur një kafshë është e kequshqyer – një burim më të rëndësishëm.
Studiuesit zbuluan se shumica dërrmuese e mbetjeve në vend vinin nga 172 kafshë të mëdha, duke përfshirë kuaj, dre dhe aurokë, krijesa të mëdha të ngjashme me lopët që tani janë zhdukur. Neandertalët kishin zgjedhur kockat më të gjata që kishin më shumë palcë, zbuloi studimi.