Vendosni fjalën kyçe....

Maldrita Bardho heq dorë nga mandati, Zegjine: Je fisnike, model për çdo politikan të ri


Pas rinumërimit të votave në Qarkun e Fierit, Maldrita Bardho fitoi mandatin e deputetes me 10 vota më shumë se Zegjine Çaushi. Por vetëm pak orë më pas, Bardho mori një vendim surprizues, duke hequr dorë nga mandati dhe duke ia lënë atë Çaushit.

Në një reagim publik, Zegjine Çaushi e cilësoi kolegen e saj si një grua fisnike dhe një model për çdo politikan të ri. Ajo tha se ky gjest i Bardhos e bën edhe më të vetëdijshme për përgjegjësinë që mban në Kuvend.

“E ndiej të nevojshme të falenderoj kolegen time, Maldrita Bardhon për vendimin e guximshëm dhe befasues, që më bën edhe më shumë të përgjegjshme për detyrën time në Kuvendin e Shqipërisë. Maldrita!

Je fisnike, model per mua e çdo politikan të ri! Unë, jam një prej mijëra vajzave dhe djemve të lindur e rritur larg qendrave urbane, por me të njëjtën dëshire e vlerë si çdo i ri që ka lindur në qytete, madje ndoshta me më shumë dëshirë për të punuar e kontribuar, me më shumë vullnet për sakrificë, se ky është një nga tiparet që na karakterizon.

Jam anatemuar në banaqet e studiove televizive, si dhe nga gojët e shqyera të politikanëve humbës, që ulërasin emrin tim e të të rinjve të tjerë, për të mbuluar zullumet e tyre, por kjo as me tremb e as me dekurajon për te vazhduar rrugetimin që kam nisur”.

Ajo shtoi se nuk e ka pasur të lehtë rrugëtimin, duke përmendur paragjykimet mediatike dhe sulmet politike ndaj saj. Megjithatë, theksoi se nuk do të dekurajohet dhe është e vendosur të kontribuojë me përkushtim në jetën parlamentare.

Në fund, Çaushi i është përgjigjur edhe akuzave të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e akuzoi për manipulim të votave. Ajo e cilësoi Bardhin si një figurë të dështuar në politikë dhe e akuzoi për shkatërrimin e opozitës.

“Se kush jam dhe çfarë do bëj në parlamentin shqiptar, këtë t’ja lëmë kohës, se falë Zotit, edhe për shkak të moshës unë kam boll kohë përpara, boll kohë për të mësuar, punuar, gabuar, ndrequr e mbi të gjitha për t’u frymëzuar. Për t’u frymëzuar nga njerëz që më kane dhënë dorën e kanë besuar tek unë, si veçanërisht Edi Rama”.

“Gazo, je politikani më i dështuar, hileqar e vulgar deri aty që asnjë burrë nuk bëhet dot, por ti po. Politikani i vetëm që të parët që nuk të honepsin dot, janë kolegët e t’u e më pas të gjithë demokratët. Ju ke ngelur në derë e s’po dinë se si të të heqin qafe se i shkaterrove partinë dhe i ke nëpërkembur dinjitetin. Sa për vjedhje votash, të kam gati një analizë plot me fakte”.