Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në landfillin e Elbasanit, Berisha: Rama hesht si fije bari për këtë krim mjedisor


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp, ku denoncoi atë që e konsideron si “farsën zgjedhore” të 11 majit, ka folur edhe për krizën mjedisore në Elbasan, ku prej katër ditësh vazhdon të digjet zjarri në landfillin e inceneratorit, duke lëshuar në ajër tym toksik që rrezikon seriozisht shëndetin e banorëve.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për heshtje të plotë ndaj kësaj situate, ndërsa, sipas tij, vijon të zhvillojë takime në Vlorë dhe Tiranë, pa marrë asnjë masë për ndalimin e kësaj katastrofe mjedisore.

“Djegia e plehrave në inceneratorin e Elbasanit, që Rama ua prezantoi shqiptarëve si kulmin e suksesit të qeverisjes së tij—një vepër për të cilën mashtroi dhe bashkë me ministrat vodhën 22 milionë euro—rezultoi një rrangullinë, një teneqe që nuk funksionoi asnjë ditë. Sot, ndërsa qyteti helmohet, Rama u thotë shqiptarëve të hanë kokat e drejtorëve të Vlorës dhe hesht si fija e barit për krimin e rëndë mjedisor që po ndodh në Elbasan”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se qëndrimi i qeverisë është dëshmi e qartë e një sistemi parti-shtet, ku shkelet autonomia e qeverisjes vendore, duke sjellë ndërhyrje brutale nga qeveria qendrore, të cilat ndodhin vetëm në diktatura si Koreja e Veriut apo në kohët më të errëta të diktaturës staliniste.

Sipas Berishës, shkarkimi i drejtorëve në Vlorë është një akt për të hedhur hi syve të publikut dhe për të shmangur vëmendjen nga dështimet reale të qeverisë, përfshirë krizën mjedisore në Elbasan. Ai theksoi se këta drejtorë zbatojnë urdhrat e kryetarëve të bashkive dhe jo të kryeministrit.

“Çfarë po ndodh në Elbasan është një dramë e vërtetë. Prej ditësh, plehrat digjen në djegësin e Elbasanit—djegësin që Rama e paraqiti si arritjen më të madhe të qeverisë. Në fakt, ai mashtroi dhe bashkë me ministrat e tij vodhi 22 milionë euro, duke sjellë një makineri që nuk punoi kurrë. Sot, ndërsa qytetarët helmohet, Rama nuk thotë asnjë fjalë dhe mundohet t’i shpërqendrojë duke u servirur largime drejtorësh në qytete të tjera”, shtoi Berisha.

Ai paralajmëroi se pasojat mjedisore janë të rënda dhe të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. “Është një krim i rëndë mjedisor. Bloza dhe tymi i helmatisur mbulon Elbasanin, që është një qytet i vendosur në një luginë ku mungojnë erërat, duke e bërë ndotjen edhe më të rrezikshme. Po digjen lëndë nga më të ndryshmet dhe askush nuk reagon”, vijoi Berisha.

Sipas tij, heshtja e kryeministrit lidhet me frikën e revoltës popullore që po afrohet, pasi, siç tha ai, zgjedhjet në Tiranë dhe në gjithë vendin ishin dhe mbeten vetëm një farsë.