
Presidenti amerikan Donald Trump, zhvilloi të premten një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar një tjetër paketë ndihme ushtarake për Ukrainën, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe municione të tjera jetike, përcjell Guardian.
Telefonata mes dy liderëve vjen vetëm disa orë pas një sulmi ajror të paprecedentë nga Rusia ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, ku u përdor një numër rekord dronësh dhe raketash balistike. Sipas Zelenskyt, biseda ishte “e rëndësishme dhe e dobishme”, duke shtuar se u diskutuan kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, bashkëpunimi në prodhimin e përbashkët të armatimit dhe mundësia për investime dhe blerje të ndërsjella.
Zelenskyy tha gjithashtu se të dy palët u dakordësuan për të rritur mbrojtjen ajrore të Ukrainës — një prioritet për Kievin ndërsa Rusia intensifikon bombardimet ndaj qyteteve, përkundër reagimeve të ashpra nga liderë ndërkombëtarë, përfshirë Trumpin.
Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse nga biseda pati ndonjë përparim konkret për rifillimin e ndihmës ushtarake amerikane, të pezulluar për shkak të shqetësimeve mbi rezervat e armatimit të forcave amerikane. Një burim i cituar nga Axios e përshkroi telefonatën si një “bisedë të mirë”, por pa detaje të mëtejshme.
Trump, i cili një ditë më parë kishte zhvilluar një bisedë edhe me presidentin rus Vladimir Putin, u shpreh i zhgënjyer nga qëndrimi i këtij të fundit. “Jam shumë i zhgënjyer nga biseda me presidentin Putin. Nuk mendoj se ai është gati për t’i dhënë fund luftës — dhe kjo është për të ardhur keq,” tha Trump pas një mitingu në Iowa.
Nga ana tjetër, Kremlini përmes një ndihmësi të Putinit, bëri të ditur se Rusia nuk ishte e gatshme të bënte asnjë lëshim në lidhje me “shkaqet themelore” të luftës, përfshirë zgjerimin e NATO-s dhe aspiratat e Ukrainës për t’u anëtarësuar në organizata perëndimore.
Ndërkohë, Gjermania ka njoftuar se po zhvillon “bisedime intensive” për të blerë raketat Patriot për Ukrainën, ndonëse nuk është e qartë nëse këto sisteme do të jenë në dispozicion menjëherë. Një zëdhënës i qeverisë gjermane konfirmoi se po shqyrtohet mundësia që Berlini të blejë këto sisteme në SHBA dhe t’i dërgojë më pas në Ukrainë.
Sulmi i fundit rus, që përfshiu më shumë se 550 dronë dhe raketa, u cilësua nga Zelenskyy si një “akt i qëllimshëm terrori”. Ai tha se ky bombardim masiv erdhi menjëherë pas telefonatës mes Putinit dhe Trumpit dhe se përfaqësonte një “interpretrim të qartë se si Moska e kupton diplomacinë”.