
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar anëtarin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ilir Rusmajli, për manipulim të rezultatit zgjedhor në Tiranë gjatë procesit të rinumërimit të votave.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Partisë Demokratike i janë hequr vota në mënyrë të paligjshme dhe të qëllimshme, duke dëmtuar rezultatin e saj elektoral.
“Cilido që nuk zbaton ligjin, për mua do të jetë përgjegjës para ligjit. Pikë. Ky është komenti im,” deklaroi Berisha, duke shtuar se në Tiranë janë lëvizur dy mandate dhe se ky është një manipulim i pastër: “Nuk kemi të bëjmë me ndonjë gabim të vogël. Këtu lëvizën dy mandate, jo një, por dy.”
Kreu i PD-së akuzoi hapur Rusmajlin, duke e quajtur njeri pa moral dhe pa ligj: “Me një njeri që nuk ka ligj as moral, nuk ka. Ka qenë bashkëpunëtor i imi, por unë e kam shkarkuar për korrupsion, Ilir Rusmajlin. Ky njeri që qëndron aty në kundërshtim me ligjin, është pa normë e pa etikë.”
Berisha u ndal edhe tek pozicioni i Rusmajlit si këshilltar i Presidentit, duke theksuar se ky post është në kundërshtim të hapur me funksionin në KAS: “Lexoni ligjin e Presidencës. Ligji thotë se këshilltari i Presidentit nuk mund të bëjë asnjë punë tjetër. Ky, ndërkohë, është aty dhe merr vendime që përmbysin vullnetin e qytetarëve.”
Duke folur për mënyrën se si u realizua manipulimi, Berisha theksoi: “Ata gjetën mekanizmin në Tiranë për të zhvlerësuar votat e Partisë Demokratike. Ato ndryshime që keni parë në Tiranë kanë ardhur krejtësisht nga zhvlerësimi i votave të PD-së, pa asnjë shkak ligjor.”
Berisha denoncoi gjithashtu përfshirjen e grupeve të tjera që, sipas tij, kanë punuar në mënyrë të organizuar për të deformuar rezultatin: “Imagjinoni Ceno Klosin dhe gjithë grupin e Hakmarrjes për Drejtësi, Renato Salihin dhe të tjerë, duke punuar ditë e natë për të manipuluar rezultatin. Aq të pangopur sa duhej të vidhnin edhe vota.”
Lideri demokrat theksoi se PD nuk do të lëshojë në mbrojtje të ligjshmërisë dhe të vullnetit qytetar: “Ligji është ligj dhe ne nuk tërhiqemi asnjë hap nga mbrojtja e tij. Votat e qytetarëve nuk mund të zhvlerësohen sipas dëshirës së një njeriu që nuk njeh as ligj dhe as moral.”