Vendosni fjalën kyçe....

Putin i qëndron qëndrimeve për Ukrainën në telefonatën njëorëshe me Trump: Nuk tërhiqemi nga objektivat


Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti amerikan Donald Trump zhvilluan një bisedë telefonike që zgjati gati një orë, gjatë së cilës diskutuan për nevojën e një “zgjidhjeje të negociuar” për luftën në Ukrainë.

Lajmi u konfirmua nga një këshilltar i lartë i Kremlinit, Yuri Ushakov.

Sipas Ushakov, Trump e ngriti çështjen e ndalimit të shpejtë të konfliktit, por Putin theksoi se Rusia “do të arrijë objektivin e saj për të hequr shkaqet që çuan në konfliktin në Ukrainë” dhe se “nuk do të tërhiqet nga qëllimet e saj”.

Kremlini sqaroi gjithashtu se sipas Rusisë, “bisedimet e paqes për Ukrainën janë mes Moskës dhe Kievit” dhe se kjo është rruga e vetme për një zgjidhje të mundshme.

Ndërkohë, gjatë bisedës, dy liderët nuk diskutuan për pezullimin e dërgesave të armëve amerikane për Ukrainën, një çështje që ka shkaktuar debate të mëdha në SHBA dhe në Evropë, sipas The Guardian.

Pjesë e diskutimeve mes Putin dhe Trump ishte edhe situata në Iran dhe Lindjen e Mesme, ku të dy palët patën një “diskutim të detajuar”, sipas Kremlinit.

Të dy liderët ranë dakord që të vazhdojnë komunikimin dhe diskutimet në të ardhmen për çështjet ndërkombëtare.

Biseda mes Putinit dhe Trump vjen në një kohë kur Evropa dhe SHBA po përballen me dilema të mëdha mbi mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka nisur një turne diplomatik në Evropë për të siguruar vazhdimin e ndihmës ushtarake dhe politike për vendin e tij.