Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen e procedohen 11 shoferë, Policia Rrugore e Tiranës 72 orë mbikëqyrje të shtuar


Policia Rrugore e Tiranës ka zbuluar rezultatet e operacionit gjatë tre ditëve të fundit në qendër të të cilit ka qenë bllokimi i trotuareve dhe korsive të biçikletave e autobusëve nga mjetet e parkuara si dhe lëvizja e qytetarëve me monopatina në shkelje të rregullave.

11 drejetues mjetesh janë arrestuar ose proceduar për shkelje të ndryshme ndërsa 19 makina janë larguar me mjet ngritës.

Njoftimi

“Policia Rrugore, 72 orë monitorim intensiv në të gjitha akset e kryeqytetit.

Fokuset e monitorimit:

Parkimi i automjeteve në trotuar duke penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve në korsitë e dedikuara për biçikleta, taksi ose autobusë.

Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor / përdorimi i kaskës mbrojtëse, nga përdoruesit e monopatinave/motomjeteve;

Si rezultat i kontrolleve:

19 automjete të parkuara gabim u tërhoqën me mjet ngritës;

Masa administrative për shtetasit që lëvizin me monopatina dhe nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit;

Është arrestuar 1 shtetas që lëvizte me automjet, me doza Cannabis me vete;

Është ndaluar një shtetas që lëvizte me automjet, pa rrip sigurimi, i cili nga verifikimet rezultoi me masë sigurie “Arrest në shtëpi”;

Janë arrestuar/proceduar 11 drejtues automjetesh.

Kontrollet vijojnë.

Policia Rrugore apelon sërish për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, me theks të veçantë te mosparkimi i automjeteve në hapësirat e rezervuara për transportin publik ose lëvizjen e biçikletave.

Gjithashtu, apelon për përdorim të rregullt të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve dhe monopatinave, si një detyrim jetik për sigurinë në rrugë.

Siguria juaj, prioriteti ynë.”