Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon Japoninë me tarifa deri në 35% nëse nuk arrihet marrëveshje


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të reja ndaj Japonisë, nëse nuk arrihet një marrëveshje tregtare deri javën e ardhshme. Ai paralajmëroi se tarifa mund të jetë “30% ose 35%”, shumë më e lartë se ajo prej 24% që u vendos më 2 prill gjatë të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit”, kur Trump shpalli tarifa të larta ndaj vendeve të ndryshme në mbarë botën.

Pas këtij vendimi fillestar, tarifat ndaj shumicës së partnerëve tregtarë të SHBA-së, përfshirë Japoninë, u ulën përkohësisht në 10%, për një periudhë 90-ditore, me qëllim që të krijohej hapësirë për negociata. Kjo periudhë përfundon më 9 korrik, dhe sipas Trump, nuk do të ketë shtyrje të afatit.

“Jemi marrë me Japoninë. Nuk jam i sigurt nëse do të arrijmë një marrëveshje. E dyshoj,” u shpreh ai për gazetarët të martën, nga bordi i avionit presidencial Air Force One.

Nga ana tjetër, Japonia zyrtarisht ka refuzuar të komentojë kërcënimin e Trump. “Jemi në dijeni të deklaratave të Presidentit Trump, por nuk do të komentojmë mbi çdo vërejtje të bërë nga zyrtarë të SHBA-së,” tha Kazuhiko Aoki, zëvendës sekretar i përgjithshëm i kabinetit japonez në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Aktualisht, shumica e eksporteve japoneze në SHBA përballen me një tarifë 10%. Ndërkohë, automjetet dhe pjesët e makinave i nënshtrohen një takse 25%, ndërsa çeliku dhe alumini japonez përballen me një tarifë të rëndë prej 50%./BBC