
Kryeministri britanik Keir Starmer dështoi ta mbështeste plotësisht Kancelaren e Thesarit Rachel Reeves, pasi një kthesë 180 gradë në reformat kryesore të mirëqenies së qeverisë prishi planet e saj fiskale.
I pyetur në sesionin e pyetje-përgjigjeve të mërkurën për të përsëritur premtimin e tij të mëparshëm se Reeves do ishte në postin e saj në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, Starmer shmangu përgjigjen. Në vend të kësaj, ai sugjeroi që udhëheqësja e opozitës konservatore Kemi Badenoch do ishte ajo që kishte të ngjarë të lironte pozicionin e saj.
Dështimi i kryeministrit për të konfirmuar mbështetjen e tij për kancelaren do nxisë spekulime rreth pozicionit të saj. Reeves, e ulur pranë kryeministrit, dukej dukshëm e mërzitur edhe para se ai të humbiste mundësinë për ta mbështetur atë. Në një çast, ajo dukej sikur po fshinte një lot që i rrodhi në faqe, shkruan Bloomberg.
Rachel Reeves u zotua të ishte një Kancelare “e hekurt” që do kontrollonte shpenzimet publike, do mbante nën kontroll huamarrjen dhe do rriste ekonominë.
Tashmë kur ka një vit në detyrë, ajo ka dështuar në të treja pikat. Dhe pas një sërë kthesash poshtëruese në lidhje me pagesat e karburantit dimëror dhe ndihmën sociale, po shtohen spekulimet se ditët e saj në Doëning Street mund të jenë të numëruara.
Në fund, nuk ishte heqja dorë nga reformat e ndihmës sociale që alarmoi tregtarët e obligacioneve – por lotët e Kancelares. Rendimentet e bonove të arit në Mbretërinë e Bashkuar, norma e interesit që Qeveria paguan për të marrë hua, u rritën të mërkurën, pikërisht kur pamjet e Reeves duke gulçuar u shpërndanë në mbarë mediat.