Vendosni fjalën kyçe....

Rama kërkon pezullimin e menjëhershëm të AKU-së: Më shumë dëmton sesa ndihmon


Kryeministri Edi Rama kërkoi pezullimin e menjëhershëm të veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), gjatë fjalës së tij në mbyllje të ditës së parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural. Ai u shpreh kritik ndaj funksionimit të AKU-së, duke theksuar se institucionit i mungon efikasiteti dhe se “po shkakton më shumë dëm sesa po bën punë”.

“Në të njëjtën kohë duhet të ndalohet menjëherë veprimtaria e AKU-së. Ky institucion nuk po kontribuon për sigurinë ushqimore, por përkundrazi, po krijon probleme”, deklaroi Rama. Ai kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të shqyrtojë të gjithë burimet njerëzore të AKU-së dhe shtoi se në këtë proces duhet të përfshihet edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se qeveria do të ndërhyjë në çmimin e naftës, duke premtuar vendosjen e një ekuilibri të ri për konsumatorët. “Po përgatitemi për të rishikuar skemën e naftës. Qeveria do të garantojë importin dhe eksportin dhe do të krijojë kushte për bashkëpunim me sipërmarrjen në këtë sektor”, u shpreh ai.

Në fokus ishte edhe çështja e legalizimit të strukturave prodhuese bujqësore në zonat rurale. Rama njoftoi se deri në fund të muajit gusht do të përgatiten procedurat ligjore në bashkëpunim me bashkitë dhe Agjencinë e Kadastrës për t’i dhënë fund pritjes së fermerëve për legalizimin e stallave dhe ambienteve të tjera të prodhimit.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Kryeministri ishte informaliteti në tregun bujqësor. Ai kërkoi formalizimin e shitjeve të produkteve bujqësore, duke theksuar se tregtimi i produkteve pa faturë përbën rrezik për shëndetin publik. “Nuk mund të lejojmë më shitjen e produkteve të pafaturuara dhe të pakontrolluara, sidomos kur bëhet fjalë për qumështin apo produkte të tjera të ndjeshme”, deklaroi Rama, duke shtuar se Ministria e Financave ka përgatitur masat për unifikimin e TVSH-së dhe sensibilizimin paraprak të fermerëve para se të merren masa ndëshkuese.