Vendosni fjalën kyçe....

Microsoft shkurton 9 mijë vende pune në valën e re të shkarkimeve


Microsoft ka nisur raundin e dytë të madh të shkurtimeve të vendeve të punës në gjithë kompaninë këtë vit, ndërsa grupi i madh i teknologjisë po përpiqet të ulë kostot.

Kompania me seli në Redmond, Washington, tha se do eliminonte rreth 4 përqind të fuqisë punëtore të saj, e barasvlershme me afërsisht 9,000 punëtorë. Humbjet e vendeve të punës do shpërndahen në gjithë kompaninë.

Njoftimi i së mërkurës vjen pas vendimit të Microsoft për të shkurtuar afërsisht 6,000 vende pune në maj dhe 2,000 në janar për atë që i quajti arsye “të lidhura me paraqitjen”. Këto valë vijnë përveç shkurtimeve të qindra vendeve të punës në shkurtime të vijueshme gjatë gjithë këtij viti.

Së bashku, Microsoft ka shkurtuar më shumë se 7 përqind të fuqisë punëtore të saj globale që nga fillimi i vitit.

Microsoft po përmirëson operacionet e saj në një kohë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po përballen me pasiguri ekonomike dhe me qëndrueshmërinë financiare të investimeve të mëdha në inteligjencën artificiale.

“Ne vijojmë të zbatojmë ndryshimet organizative të nevojshme për ta pozicionuar më së miri kompaninë dhe ekipet për sukses në një treg dinamik”, tha kompania.

Microsoft nuk ia ka atribuar shkurtimet e fundit në mënyrë të qartë inteligjencës artificiale, pavarësisht se drejtori ekzekutiv Satya Nadella kishte deklaruar më parë se deri në një e treta e kodit të kompanisë tani është shkruar nga softueri. Dosjet rregullatore në shtetin e Uashingtonit, ku ka selinë qendrore, treguan se inxhinierët e softuerëve përbënin 40 përqind të afërsisht 2,000 roleve të shkurtuara në maj të këtij viti.

Gjiganti i softuerëve u zotua të shpenzojë 80 miliardë dollarë për infrastrukturën e qendrës së të dhënave në vitin fiskal që përfundon më 30 qershor. Ai e ka pozicionuar veten në qendër të një gare për komercializimin e teknologjisë.

Kompania kishte 228,000 punonjës në fund të qershorit 2024, duke eliminuar tashmë rreth 2,500 vende pune nga njësia e saj e lojërave Xbox dhe rreth 1,000 vende pune në të gjitha njësitë e saj të kufjeve të realitetit të shtuar HoloLens dhe të cloud computing Azure.

Në vitin 2023, Microsoft tha se do pushonte nga puna 10,000 punonjës, pasi u përball me një rritje më të ngadaltë të të ardhurave.

Andy Jassy, ​​drejtor ekzekutiv i grupit të tregtisë elektronike Amazon, i ka paralajmëruar punonjësit se vendet e tyre të punës janë në rrezik nga inteligjenca artificiale, e cila, sipas tij, tashmë po jepte efikasitet në gjithë rrjetin e saj logjistik.

“Do na duhen më pak njerëz që të bëjnë disa nga punët që po bëhen sot dhe presim që kjo do të zvogëlojë fuqinë punëtore totale të korporatës sonë”, tha ai në një memo për punonjësit muajin e kaluar.

Amazon eliminoi 27,000 vende pune në dy raunde shkurtimesh vendesh pune në vitin 2023, ndërsa divizioni i saj në cloud, Amazon Ëeb Services, shkurtoi qindra role në vitin 2024.

Microsoft shënoi fitime më të mira se sa pritej në tre muajt deri në fund të marsit, me kompaninë që vlerësoi rritjen e fortë në divizionin e saj të cloud-it. Aksionet e saj kanë tejkaluar konkurrentët që nga fillimi i këtij viti.

Drejtoresha kryesore financiare Amy Hood u tha investitorëve në prill se Microsoft ishte i përqendruar në “ndërtimin e ekipeve me paraqitje të lartë dhe rritjen e shkathtësisë sonë duke zvogëluar shtresat me më pak menaxherë”.

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani