
Procesi i rinumërimit të votave për Qarkun e Fierit është në vijim, me mbi 70% të kutive të votimit të përpunuara deri në këtë fazë. Rinumërimi ka sjellë disa ndryshime në rezultatin e kandidatëve, duke reflektuar mospërputhje me numërimin fillestar të zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas të dhënave paraprake, kandidatit të Partisë Socialiste Ceno Klosi i janë konstatuar 940 vota më shumë në numërimin e parë, të cilat tani do të zbriten. Klosi kishte rezultuar më i votuari në qark me 19,290 vota në përfundim të numërimit fillestar.
Nga ana tjetër, kandidatit Klevis Jahaj i janë shtuar 434 vota në rinumërim, çka përfaqëson një rritje të ndjeshme në krahasim me rezultatin e mëparshëm.
Për sa i përket mandatit të Zegjine Çaushit, i cili ndodhej në balancë për shkak të diferencës së ngushtë me kandidaten Maldrita Bardhos, rinumërimi ka thelluar epërsinë e Çaushit. Asaj i janë shtuar 62 vota, ndërsa Bardhos i janë zbritur 4 vota.
Në radhët e Partisë Demokratike, që garonte me listë të mbyllur dhe siguroi 4 mandate në këtë qark, nuk priten ndryshime në shpërndarjen e mandateve. Megjithatë, rinumërimi ka evidentuar mospërputhje në rezultatin e disa kandidatëve: Silva Hasaj ka humbur 666 vota, që përfaqësojnë më shumë se 25% të totalit të saj, ndërsa Gentian Çela ka humbur 214 vota.
Procesi i rinumërimit pritet të përfundojë në ditët në vijim, ndërsa institucionet zgjedhore po monitorojnë nga afër për të garantuar transparencën dhe saktësinë e rezultatit përfundimtar.