Vendosni fjalën kyçe....

Republikanët e Senatit të SHBA-së të përçarë për projektligjin 3.3 trilionë dollarë të uljes së taksave të Trump


Republikanët e Senatit amerikan po përballen me vështirësi për të bashkuar radhët në përpjekjen për të miratuar projektligjin madhor të Presidentit Donald Trump për uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve, i cili pritet të shtojë 3.3 trilionë dollarë në borxhin kombëtar të SHBA-së.

Senati vazhdoi punimet gjatë gjithë natës, duke votuar një seri të gjatë amendamentesh, si pjesë e një procesi kompleks procedural që republikanët po përdorin për të anashkaluar kundërshtimet e demokratëve, të cilat normalisht do të kërkonin 60 vota për miratim.

Në orët e para të mëngjesit, senatorët votuan me shumicë dërrmuese 99-1 për të hequr një ndalim 10-vjeçar për rregullimin e inteligjencës artificiale nga shtetet, një masë që mbështetësit thoshin se do të nxiste inovacionin.

Me një shumicë të ngushtë 53-47 në Senat, përçarjet brenda republikanëve janë bërë të dukshme, veçanërisht për shkak të ndikimit të pritshëm në borxhin federal dhe shkurtimeve në programe sociale si Medicaid dhe ndihma për ushqim për amerikanët me të ardhura të ulëta.

Senatori republikan Thom Tillis deklaroi se do të ketë një vonesë prej rreth një ore për të rregulluar gabime teknike në tekstin e projektligjit.

Tillis, një nga dy republikanët që tentuan të bllokonin avancimin e ligjit, u kritikua ashpër nga Trump dhe njoftoi se nuk do të kandidojë për rizgjedhje.

Zyra e Buxhetit të Kongresit (CBO), një organ jopartiak, llogariti se versioni i Senatit do t’i shtojë 3.3 trilionë dollarë borxhit kombëtar prej 36.2 trilionë, rreth 800 miliardë më shumë se versioni i Dhomës së Përfaqësuesve.

Disa republikanë e sfidojnë këtë vlerësim, duke pretenduar se zgjatja e politikave ekzistuese nuk do të shtojë borxhin.

 

Përplasje me Elon Musk

Debati për borxhin rindezi edhe përplasjen mes Trump dhe Elon Musk. Musk kërcënoi se do të financojë kandidatë rivalë në zgjedhjet paraprake të 2026 për të ndëshkuar republikanët që mbështesin projektligjin. Trump reagoi duke kërcënuar se do të shkurtojë fondet për kompanitë e Musk, si SpaceX dhe Tesla.

Ndërkohë, demokratët e shohin si një mundësi për të ndikuar te republikanët më konservatorë, duke theksuar pabarazitë e projektligjit.

“Pas 12 orësh debat dhe 21 orësh amendamente, republikanët ende nuk kanë 50 vota për këtë projektligj, sepse është një monstruozitet moral”, deklaroi senatori demokrat Chris Murphy.

Projektligji është kritikuar nga demokratët si një përfitim për të pasurit, në dëm të shtresave të varfra dhe të mesme.

 Ndërsa republikanët mbështetës pretendojnë se garanton stabilitet duke shmangur skadimin e uljeve të taksave të miratuara në vitin 2017 gjatë mandatit të parë të Trump.

 

Çështje politike të nxehta në tekst

Brenda projektligjit përfshihen edhe dispozita të debatueshme si ndalimi i përdorimit të fondeve të Medicaid për rreth 30 procedura të lidhura me ndryshimin gjinor, si dhe rritje e financimeve për kontrollet ndaj të miturve emigrantë për lidhje me banda kriminale, përfshirë ekzaminimin e tatuazheve që mund të kenë fëmijët deri në 12 vjeç.

Një amendament i propozuar nga senatorja Joni Ernst u miratua për të ndaluar që milionerët e papunë të përfitojnë nga pagesat e papunësisë. Megjithatë, amendamentet e demokratëve, përfshirë përpjekjet për të kufizuar shkurtime të Medicaid, u rrëzuan.

Senatorja republikane Susan Collins propozoi rritje të mbështetjes për spitalet rurale përmes dyfishimit të fondeve federale, të cilat do të mbuloheshin përmes rritjes së taksës për të ardhurat e larta, por edhe kjo masë u refuzua.

 

Rreziku nga tavani i borxhit

Projektligji përfshin një rritje prej 5 trilionë dollarësh të tavanit të borxhit, një trilion më shumë se versioni i Dhomës, çka e bën urgjente miratimin për të shmangur rrezikun e falimentimit të shtetit në muajt e verës, kur Thesari mund të mbetet pa mundësi borxhmarrjeje.

Senatori Rand Paul dhe Tillis janë ndër republikanët që kundërshtojnë rritjen e borxhit dhe shkurtimet për energjinë e pastër.

 CBO vlerëson se projektligji i Senatit do të linte pa sigurim shëndetësor rreth 11.8 milionë amerikanë, më shumë se versioni i Dhomës.

Nëse Senati e miraton ligjin, ai do të rikthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku gjithashtu ka ndasi – disa kundërshtojnë koston, të tjerë shkurtesat e thella për Medicaid.

Megaprojektligji prej 940 faqesh zgjat uljet e taksave të 2017-s, redukton taksa të tjera dhe rrit shpenzimet për ushtri dhe sigurinë kufitare. Republikanët i kundërshtojnë vlerësimet e CBO-së dhe po përdorin metoda alternative të llogaritjes që – sipas ekspertëve të jashtëm – “fshehin” koston reale.

Andrew Lautz nga Qendra Bipartizane e Politikave e quajti këtë metodë një “truk magjik”, duke theksuar se ndonëse dokumenti mund të duket më i lirë, kostoja reale nuk ndryshon.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters