Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret përfshijnë Izmirin, mbyllet përkohësisht aeroporti


Zjarret pyjore që kanë përfshirë rajonin e Izmirit kanë detyruar mbylljen përkohësisht të aeroportit Adnan Menderes, një nga pikat kryesore turistike në bregdetin e Turqisë. Fluturimet u pezulluan të dielën, ndërsa flakët përparuan me shpejtësi drejt zonave të banuara në Menderes dhe Seferihisar.

Të paktën 10 lagje janë evakuuar për shkak të erërave të forta që arritën deri në 120 km/h, duke përkeqësuar situatën. Aeroporti u mbyll për trafikun ajror që nga ora 16:00, për shkak të kushteve të pafavorshme dhe afërsisë me vatrat e zjarrit.

Një zëdhënës i aeroportit tha: “Për shkak të zjarrit në pyll në lagjen Gaziemir të Izmirit dhe kushteve të pafavorshme të motit, përfshirë erërat e forta, Aeroporti Adnan Menderes i Izmirit u mbyll përkohësisht për trafikun ajror që nga ora 16:00 sipas orës lokale.”

Kryetari i Bashkisë së Izmirit, Dr. Cemil Tugay, e përshkroi situatën si shumë të rëndë, duke theksuar se zjarret janë shkaktuar kryesisht nga faktori njerëzor. Sipas tij, të gjitha strukturat përkatësejanë në gatishmëri të plotë për të përballuar emergjencën.

“Sot është një ditë shumë e vështirë për ne; po luftojmë njëkohësisht me zjarre të shumta që shpërthejnë në të gjithë Izmirin tonë të bukur. Në bashkëpunim me institucionet përkatëse, Departamenti ynë i Zjarrfikësve , së bashku me makineri të rënda, automjete cisterna dhe të gjithë personelin në terren, është në gatishmëri të lartë.

Ekipet tona po punojnë me të gjitha forcat e tyre për të luftuar zjarret, të cilat janë rritur për shkak të efektit të stuhisë, veçanërisht në Menderes, Seferihisar dhe Gaziemir. Fatkeqësisht, shumica dërrmuese e zjarreve që i kthejnë pyjet tona në hi shkaktohen nga dora e njeriut. “

Zjarret aktuale vijnë një vit pas një vale tjetër shkatërruese në gusht, pas korrikut më të nxehtë në më shumë se pesë dekada./Independent