
Zyrtarët izraelitë thanë se ka dyshime serioze nëse udhëheqësi i ri sirian, Ahmad al-Sharaa, do binte dakord për ndonjë marrëveshje paqeje me Izraelin që nuk përfshinte një tërheqje nga Lartësitë Golan, të cilat Izraeli i pushtoi gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe më vonë i aneksoi.
Zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara janë informuar për negociatat, të cilat përqendrohen në më shumë sesa vetëm marrëveshje sigurie.
Shenjat e një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Sirisë dhe Izraelit deri në fund të vitit 2025 po bëhen gjithnjë e më të dukshme, duke shënuar potencialisht një ndryshim historik në diplomacinë rajonale.
Ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, një aleat i ngushtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu me lidhje të forta me administratën Trump, është planifikuar të udhëtojë për në Uashington më vonë të hënën. Ai pritet të diskutojë gjendjen dhe zgjerimin e mundshëm të Marrëveshjeve të Abrahamit të vitit 2020.
Në një intervistë në Fox të dielën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se atij i janë afruar vende që dëshironin të bashkoheshin me Marrëveshjet. Ai shtoi se dikur kishte besuar se edhe Irani mund t’i bashkohej marrëveshjeve. I pyetur nëse Siria mund të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin, Trump u përgjigj: “Nuk e di, por i hoqa sanksionet me kërkesë të disa vendeve të tjera në zonë që janë miq me ne. I hoqa sanksionet ndaj Sirisë për t’u dhënë atyre një mundësi sepse sanksionet janë të ashpra.”
Burime siriane i thanë gazetës Al-Akhbar në Liban, e lidhur me Hezbollahun, se bisedime të shumta janë duke u zhvilluar nën presionin amerikan për të arritur një marrëveshje paqeje. Sipas burimeve, al-Sharaa pranon idenë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, por nuk ka konsensus midis mbështetësve të tij, shkruan Ynet,
“Ekziston presion mbi ndërmjetësin amerikan që të bjerë dakord për një mundësi paqeje, siç është njoftimi i marrëveshjeve të sigurisë përgjatë kufirit Siri-Izrael, që do përfshinte një tërheqje të Izraelit nga i gjithë territori sirian ku hyri pas 8 dhjetorit, pasi regjimi i Bashar Assadit u rrëzua, në këmbim të një deklarate siriane se të dy vendet nuk janë më në luftë”, tha një burim.